LajmeMaqedoni

PK Mali Sharr: Po zhvillohet largimi i gypave të hidrocentraleve të vogla në Leshnicë

Parku Kombëtar “Mali Sharr” ka njoftuar se, në koordinim me institucionet kompetente shtetërore, është duke u zhvilluar një operacion kompleks për çmontimin dhe largimin e gypave të hidrocentraleve të vogla Shkumbini84 dhe Shkumbini85 në luginën e Leshnicës.

Nga ky institucion bënë të ditur se me këtë, ka filluar hapi i parë drejt rikthimit të natyrës në gjendjen e saj të mëparshme.

“Kjo nuk është një ndodhi e rastësishme. Kjo është rezultat i një procesi të gjatë dhe të përkushtuar institucional, në të cilin Institucioni Publik Parku Kombëtar Mali Sharr ka mbrojtur me përkushtim argumentet profesionale, ligjore dhe ato të mbrojtjes së natyrës përpara  të gjitha institucioneve kompetente, me një qëllim të qartë – mbrojtjen e luginës së Leshnicës dhe ruajtjen e vlerave natyrore të Malit Sharr. Qëndrimet tona kanë qenë gjithmonë të qarta dhe të bazuara në kornizën ligjore dhe në dokumentet profesionale”, kanë thënë nga Parku Kombëtar.

Ata më tej kanë shtuar se, Plani i Menaxhimit të Parkut Kombëtar Mali Sharr përcakton qartë se ndërtimi i hidrocentraleve të reja nuk lejohet në asnjërën nga zonat e mbrojtjes, pasi ato paraqesin një nga kërcënimet më të mëdha për vlerat natyrore dhe ekosistemet ujore.

“Njëkohësisht, Parku Kombëtar kërkoi kthimin e lumit Shkumbin në gjendjen e mëparshme natyrore, gjë që nënkupton çmontimin e plotë të gypave të vendosur, largimin e tyre jashtë kufijve të Parkut Kombëtar, heqjen e strukturave prej betoni dhe restaurimin gradual të ekosistemit natyror të lumit”, kanë shtuar ata.

Kujtojmë se, pas disa dekadave pritje, më 30 Qershor 2021, Kuvendi i Мaqedonisë së Veriut e shpalli park kombëtar një pjesë të Malit Sharr. Parku mbulon një sipërfaqe prej 62,705 hektarë, brenda kufijve të parkut gjenden 27 fshatra me rreth 17,000 banorë, të ndara në shtatë komuna.

Related Articles

Back to top button
Close
Close