
Një valë nostalgjie ka përfshirë ndjekësit e serialit më të dashur të televizionit tonë, i cili po rikthehet pas një dekade. Thashethemet për rikthimin e tij kanë filluar të qarkullojnë në rrjet, duke shkaktuar entuziazëm të madh mes fansave të tij besnikë.
Rikthimi i këtij produksioni ka marrë formë pas një interviste të fundit të producentit dhe aktorit Shkumbin Istrefi, i cili diskutoi në podcastin “Voice of Gogaj” me Albinë Bricori Sadikajn. Kjo bisedë u bë shkëndija që ndezi shpresat për një rikthim të mundshëm.
Por, ndryshe nga sa pritej, gjërat po zhvillohen më shpejt se sa mendonim. Nuk bëhet fjalë më vetëm për një ide, por për një projekt konkret që po merr formë. Plani aktual është që ky serial të rikthehet në formatin e një filmi të metrazhit të gjatë, duke ofruar një dimension të ri për publikun.
Burime nga Prive By Liberta Spahiu konfirmojnë se puna për skenarin ka filluar dhe ngjarjet po formohen. Për ata që frikësohen se do të mungojnë disa nga fytyrat e dashura, ka një lajm të mirë: ndonëse disa aktorë të njohur nuk janë më, disponimi i kastit është tejet pozitiv.
Plani është që të gjithë protagonistët origjinalë të bashkohen për këtë projekt, duke sjellë një ndjenjë të fortë nostalgjie për fansat. Nëse gjithçka shkon siç duhet, filmi pritet të ketë premierën vitin e ardhshëm.
Përveç punës në skenar, po punohet gjithashtu për gjetjen e financimit të nevojshëm për të garantuar një standard të lartë të realizimit. Me dashurinë e pashtershme të publikut dhe nostalgjinë që e shoqëron këtë rikthim, suksesi duket i garantuar.
Na mbetet të presim me padurim detajet e mëtejshme dhe të shpresojmë që gjithçka do të shkojë sipas planit, sepse siç thotë populli, fillimi i mbarë është gjysma e punës.



