
Federata Italiane e Futbollit (FIGC) pritet të zgjedhë mes dy emrave të njohur për postin e përzgjedhësit të kombëtares, Roberto Mancini dhe Antonio Conte, pasi kriza e ditëve të fundit ka lënë pa zgjidhje projektin për drejtimin e “Azzurrëve”.
Sipas raportimeve të Football Italia, të dy trajnerët janë aktualisht pa kontratë. Conte i ka dhënë fund me marrëveshje bashkëpunimit me Napolin pas dy vitesh, ndërsa Mancini është larguar nga Al-Sadd. Kjo situatë i ka rikthyer të dy në qendër të diskutimeve për të marrë drejtimin e Italisë.
Zhvillimet vijnë pas dorëheqjes së Paolo Maldinit dhe Leonardos nga postet drejtuese në FIGC, vetëm pak ditë pasi Andrea Pirlo u tërhoq nga gara për shkak të polemikave që lidhen me bashkëpunimin e tij komercial me një kompani ruse të basteve. Këto ngjarje kanë thelluar krizën në futbollin italian dhe kanë detyruar federatën të rikthejë vëmendjen te kandidatët me më shumë përvojë.
Mancini e drejtoi Italinë drejt triumfit në Euro 2020, ndërsa Conte ishte përzgjedhës i kombëtares nga viti 2014 deri më 2016, duke e çuar ekipin deri në çerekfinalet e Kampionatit Evropian. Tashmë, FIGC duhet të vendosë se cili prej tyre do të udhëheqë projektin e ri të kombëtares italiane.



