
Disa persona kanë mbetur të bllokuar brenda një qendre tregtare pas një tërmeti të fuqishëm që goditi jugperëndimin e Japonisë, njoftojnë zyrtarët, siç raporton BBC.
Sipas raportimit, ka pasur një shpërthim në qendrën tregtare “Aeon Mall” në Kumamoto, pas tërmetit me magnitudë 7.1, i cili ka shkaktuar lëndime te disa persona.
Tërmeti goditi zonën tokësore të ishullit Kyushu në orën 16:27 sipas kohës lokale, ndërsa më shumë se 150 mijë persona u udhëzuan të zhvendosen në qendra evakuimi. Një paralajmërim i shkurtër për cunami u lëshua, por u hoq brenda një ore.
Japonia është një nga vendet më të prekura nga tërmetet në botë, duke përjetuar rreth 1 mijë e 500 lëkundje sizmike në vit.
Agjencia Meteorologjike ka paralajmëruar për pasgoditje të fuqishme, për shkak të thellësisë së vogël të epiqendrës – vetëm 10 kilometra. Pamjet e transmetuara nga televizioni kombëtar NHK tashmë tregojnë rrugë dhe ura të çara, si dhe disa ndërtesa në flakë.
“Ne ende po vlerësojmë përmasat e dëmeve ndaj njerëzve dhe pronës, por jam informuar se tashmë ka pasur disa të lënduar”, tha të martën kryeministrja Sanae Takaichi.



