
Pavarësisht rritjes së çmimeve të naftës dhe benzinës gjatë dy javëve të fundit, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë derivatet më të lira në rajon. Ai tha se Qeveria po monitoron lëvizjet në tregjet ndërkombëtare dhe pret që javën e ardhshme të ketë ulje të çmimeve, ndërsa nuk përjashtoi masa të reja nëse do të jetë e nevojshme.
“Taksat e akcizës analizohen gjatë një periudhe dyjavore. Gjysma e dytë e muajit po afrohet drejt përfundimit dhe që të hënën do ta llogarisim mesataren për atë periudhë. Bazuar në këta parametra do të përcaktohen çmimet e reja të derivateve të naftës. Është pozitive që çmimi ka rënë për dy ditë me radhë. Sot është stabilizuar në rreth 85-86 dollarë për fuçi, prandaj pres një ulje më të madhe të çmimit të dizelit dhe benzinës që nga java e ardhshme.”, tha Mickoski.
Kryeministri tha se Qeveria po ndjek nga afër zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe nuk përjashtoi masa të reja, në varësi të analizave që do të përfundojnë në fund të muajit.
“Duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për një produkt që tregtohet në bursë dhe të gjitha shtetet furnizohen nga i njëjti treg. Megjithatë, ne kemi bindshëm çmimin më të ulët të naftës dhe benzinës pa plumb në rajon, madje edhe ndër më të ulëtit në Evropë. Sa i përket masave të reja, po presim përfundimin e periudhës deri më 31 korrik. Një herë kemi ndërhyrë me akcizat dhe, pasi të përfundojnë analizat sipas ligjit, do të vendosim nëse do të ndërmarrim hapa të tjerë.”, deklaroi Mickoski.



