
Mes afrimeve dhe rinovimeve, Tirana e volejbollit të femrave mbetet ndër skuadrat më aktive në merkato.
Ekipi bardheblu ka zyrtarizuar ditën e djeshme një nënshkrim të rëndësishëm vendor, duke prezantuar si lojtaren më të re, Paola Gjatën.
23-vjeçarja transferohet në kryeqytet me statusin e kampiones, pas dy sezonesh me Pogradecin, ndërsa ka pasur eksperiencë të suksesshme edhe me Skënderbeun.
Volejbollustja ka hedhur dje firmën në “Shtëpinë Bardheblu”, ndërsa më pas ka ardhur edhe komunikata e klubit. “Tirana ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me volejbollisten Paola Gjata, e cila do të jetë pjesë e skuadrës së volejbollit për femra për sezonin sportiv 2026–2027.
Paola luan në pozicionin e qendrës (Middle Blocker) dhe vjen pas eksperiencave të suksesshme me Skënderbeun dhe Pogradecin. Ajo është gjithashtu pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, duke sjellë eksperiencë dhe cilësi të rëndësishme në radhët e ekipit bardheblu.
Me forcën e saj në bllok, efikasitetin në sulm dhe eksperiencën në nivel kombëtar, Paola pritet të jetë një vlerë e shtuar për KS Tiranën. Mirë se erdhe, Paola”, shkruhet në deklaratën e Tiranës.



