
Kryebashkiaku i Nju Jorkut pothuajse nuk vesh asgjë tjetër përveç kostumit: shpesh të blerë nga Suit Supply, pothuajse gjithmonë në ngjyrë të errët dhe të kombinuar me një kravatë formale, zakonisht me këpucë të zeza elegante. Ai nuk është politikani i parë që përqafon kostumin, në fund të fundit, është uniforma e pashkruar e atyre që duan të përcjellin seriozitet dhe autoritet
Tradicionalisht, një kostum dhe kravatë do të konsideroheshin veshje të papërshtatshme për secilën prej këtyre aktiviteteve. Megjithatë, gjatë vitit të fundit, Zohran Mamdani duket se ka ndërmarrë një mision personal për të dëshmuar të kundërtën: për t’i bindur njerëzit se një kostum formal është, në fakt, i përshtatshëm për çdo aktivitet.
Kjo sepse kryebashkiaku i Nju Jorkut pothuajse nuk vesh asgjë tjetër përveç kostumit: shpesh të blerë nga Suit Supply, pothuajse gjithmonë në ngjyrë të errët dhe të kombinuar me një kravatë formale, zakonisht me këpucë të zeza elegante. Ai nuk është politikani i parë që përqafon kostumin, në fund të fundit, është uniforma e pashkruar e atyre që duan të përcjellin seriozitet dhe autoritet. Duke brohoritur për Knicks në Madison Square Garden në maj, Mamdani u dallua për veshjen e tij, një kostum të errët dhe kravatë. Pas fitores së Knicks, ai veshi fanellën e ekipit mbi këmishën dhe kravatën, por nuk e ndau nga vetja xhaketën e kostumit. Në qershor, ai veshi një kostum blu të errët, këmishë të bardhë dhe kravatë me vija blu gjatë një aktiviteti me gazetarët dhe fëmijët në plazh.
Më 1 janar 2025, gjatë fushatës për kryetar bashkie, ai veshi kostum edhe për të marrë pjesë në sfidën e Polar Bear Club, një traditë e Nju Jorkut ku njerëzit futen për të notuar në ujërat e ftohta të Atlantikut. As uji nuk u bë pengesë për të. Muajin e kaluar, Mamdani u hodh me kostum të plotë në një pishinë në Harlem për të njoftuar hapjen e pishinave të qytetit gjatë verës. (New York Post raportoi se Mamdani “shkeli rregullat gjatë procesit”, pasi rregullorja kërkon që notarët të veshin rroba banje në ujë.)
Duket sikur kryebashkiaku është “burgosur” në një kostum prej leshi ose ndoshta përzierje leshi, një zgjedhje që e ka krijuar vetë. Por pse?
Paraardhësit e tij të fundit në postin e kryebashkiakut nuk ishin aq të lidhur me kostumin. Bill de Blasio ishte i dhënë pas pantallonave të shkurtra, megjithëse u përball me tallje të shumta për pantallonat cargo, ndërsa Eric Adams preferonte bluzat polo dhe ndonjëherë kardiganët e leshtë. “Unë mendoj se Mamdani dëshiron të theksojë më shumë imazhin e një kryebashkiaku që punon, të dikujt që është gjithmonë në detyrë dhe në punë”, tha Ella Devi, komentatore mode. “Sipas meje, ai dëshiron të përcjellë përkushtimin ndaj detyrës përmes zgjedhjeve të tij në veshje. Kjo reflektohet edhe në lidhjen e tij me kostumin. Gjithashtu, ai është një i ri, mysliman dhe socialist”, shtoi Devi.
Ka gjasa që Mamdani, i cili është shpesh në fokusin e mediave të djathta, të gjykohet sipas një standardi më të lartë se politikanët e bardhë të qendrës. Kjo është një çështje që e ka ngritur edhe Hasan Piker, komentator turko-amerikan i krahut të majtë, i cili ka thënë se konservatorët janë “më të gatshëm të dëgjojnë atë që kam për të thënë” kur ai vishet më elegant.
“Më parë vishja bluza gjithë kohën”, tha ai për Dazed. “Por më pas kuptova se duhet të filloja të vishja kostum dhe kravatë, sepse ka shumë të rritur që më shohin në Fox News. Nëse më shohin duke thënë diçka në një video, do të jenë më të hapur ndaj asaj që them nëse paraqitem në një mënyrë më të pranueshme”.
Zyra e kryebashkiakut nuk pranoi të komentonte për The Guardian garderobën e Mamdanit, por ai foli vetë për pasionin e tij për kostumet në një intervistë të fundit për CNN. I pyetur për vendimin për t’u hedhur në pishinë me kostum, ai tha: “Mendoj se e keqkuptova termin ‘rroba banje’. Gjithashtu dua të falënderoj Goodwill, sepse atë kostum e mora për 30 dollarë, pasi nuk mund të prishësh kostumet e tjera që ke. Por po mësoj qartë se mund të ketë një mënyrë tjetër për t’u veshur kur temperatura është 38 gradë”. E majta politike nuk është njohur gjithmonë për veshje formale. Por, kjo mund të jetë duke ndryshuar.
“Nëse ekziston një gjuhë vizuale që përcjell besueshmëri dhe autoritet, pse të mos përfitosh prej saj?”, shkroi këtë muaj Nathan Robinson, redaktor i revistës së majtë Current Affairs.
“Një person me kostum mund të duket serioz, profesionist dhe i gatshëm për biznes. Mund të mendosh se i përket Senatit ose një salle bordi. Pikërisht këtë po përpiqet të përcjellë Mamdani me kostumet e tij. Ai e kupton se socialistët përballen me një sfidë: konsiderohen si të skajshëm. Njerëzit mendojnë se nuk u përkasin vendeve ku merren vendime të rëndësishme. Kostumet janë një mënyrë e heshtur për të pohuar legjitimitetin dhe autoritetin e ideve socialiste”.
Si futbollist i apasionuar, ai veshi një kostum të zi me kravatë gri ndërsa luante me top në korrik, ndërsa në një ndeshje po atë muaj thjesht veshi një fanellë futbolli mbi kostum, megjithëse hoqi xhaketën. Gjërat nuk kanë qenë gjithmonë kështu. Një burim për The Guardian, që ka luajtur në të njëjtin ekip me Mamdanin para zgjedhjes së tij, tha se ai nuk luante me kostum dhe kravatë. “Ai gjithmonë vinte me kostum, ose të paktën me pantallona kostumi, dhe çizmet e tij të famshme, dhe ndërrohej në fushë sepse gjithmonë vonohej”, shtoi ai. Sipas tij, Mamdani dikur luante me “pantallona të shkurtra të zeza”. I pyetur nëse një kostum do të ishte veshje e përshtatshme për një ndeshje futbolli, ai tha se jo. Arsyeja: materialet kanë elasticitet të kufizuar, pengojnë lëvizjen, bëhen të pakëndshme nga djersa, mund të dëmtohen nga njollat e barit apo përplasjet dhe kërkojnë pastrim kimik të shpeshtë.
Duke u lidhur kaq shumë me kostumin, pyetja është: a mund të veshë ndonjëherë Mamdani diçka tjetër? A mund ta braktisë kryebashkiaku veshjen formale? “Unë mendoj se tani ai është disi i bllokuar në kostum dhe e di që është i bllokuar, sepse e ka bërë pjesë të identitetit të tij”, tha Devi.
“Ai duhet të vazhdojë me këtë histori, me ‘kostumin’. Nëse vesh xhinse, atëherë New York Post thjesht do të shkruajë për këtë për tre javë”. Me temperaturat në Nju Jork që kanë arritur së fundmi 38°C, Mamdani mund të dëshirojë të veshë diçka tjetër, megjithëse Devi ka një sugjerim nëse vapa bëhet e padurueshme. “Ai nuk do ta bënte kurrë këtë, sepse nuk do të shihej si shumë socialist, por Thom Browne ka disa pantallona të shkurtra shumë të mira kostumi për valët e ardhshme të të nxehtit. Kjo është këshilla ime për kryebashkiakun Mamdani”, tha ajo. Ideja tingëllon mirë, por sipas faqes së Thom Browne, ato pantallona kushtojnë rreth 1 mijë e 300 dollarë, çka mund të ngrejë pikëpyetje mbi bindjet socialiste të Mamdanit.
Duket se, të paktën për momentin, Mamdani mbetet i “burgosur” në kostum.








