LajmeMaqedoni

Më pak kontribuues, më shumë pensionistë

Në fund të vitit 2024, në vend ishin të regjistruar 556.294 persona të siguruar dhe 343.048 pensionistë. Kjo do të thotë se për çdo 100 pensionistë kishte vetëm 163 persona që paguanin kontribute pensionale. Një vit më parë ky raport ishte 170 të siguruar për 100 pensionistë

Sistemi pensional vazhdon të mbështetet fuqishëm në buxhetin e shtetit, pavarësisht rritjes së të ardhurave nga kontributet. Raporti i fundit i Entit Shtetëror për Revizion (ESHR) tregon se Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor edhe gjatë vitit 2024 nuk ka arritur të sigurojë mjete të mjaftueshme për pagesën e pensioneve, ndërsa revizorët kanë dhënë opinion të pafavorshëm si për pasqyrat financiare ashtu edhe për harmonizimin e operacioneve me rregulloret ligjore.

Sipas revizionit, të ardhurat nga kontributet pensionale gjatë vitit 2024 janë rritur për 14 për qind krahasuar me një vit më parë dhe kanë arritur në 71.4 miliardë denarë. Megjithatë, kjo rritje nuk ka qenë e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet për pensione, të cilat kanë arritur në mbi 90.2 miliardë denarë. Diferenca është mbuluar përmes transfertave nga buxheti i shtetit, të cilat përbëjnë 36.71 për qind të të ardhurave totale të Fondit. Të dhënat tregojnë se, pavarësisht rritjes së kontributeve, sistemi pensional mbetet i varur nga mbështetja e shtetit. Në vitin 2024 pjesëmarrja e mjeteve të transferuara nga buxheti është rritur për 4.14 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë, duke dëshmuar se Fondi nuk është në gjendje t’i mbulojë në mënyrë të pavarur detyrimet ndaj pensionistëve.

Një nga treguesit më shqetësues të evidentuar në raport është përkeqësimi i raportit mes të siguruarve dhe pensionistëve. Në fund të vitit 2024, në vend ishin të regjistruar 556.294 persona të siguruar dhe 343.048 pensionistë. Kjo do të thotë se për çdo 100 pensionistë kishte vetëm 163 persona që paguanin kontribute pensionale. Një vit më parë ky raport ishte 170 të siguruar për 100 pensionistë.

Krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, ku mesatarisht ka më pak se tre persona në moshë pune për çdo person mbi 65 vjeç, Maqedonia e Veriut po përballet me një presion edhe më të madh mbi sistemin pensional, pasi raporti mes kontribuesve dhe pensionistëve është dukshëm më i ulët dhe vazhdon të përkeqësohet. Revizorët vlerësojnë se trendi demografik dhe rritja e numrit të pensionistëve paraqesin një nga sfidat kryesore për qëndrueshmërinë afatgjatë të Fondit.

Ndërkaq, revizorët kanë konstatuar gjithashtu probleme serioze në pagesën e kontributeve për anëtarët e shtyllës së dytë pensionale. Edhe pse Fondi përgatit llogaritjet dhe i dorëzon ato në afatet e përcaktuara me ligj, fondet nuk transferohen në kohë drejt shoqërive private pensionale. Gjatë vitit 2024, vonesa mesatare ka qenë rreth dy muaj, ndërsa deri më 27 shkurt 2026 borxhi mbi bazën e kontributeve të pashpërndara kishte arritur në 2.6 miliardë denarë. Probleme edhe më të mëdha janë evidentuar në raport me detyrimet ndaj Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Revizioni ka konstatuar se Fondi nuk ka kryer me kohë pagesat e kontributeve për sigurimin shëndetësor të pensionistëve, ndonëse kjo është një detyrim ligjor. Gjatë viteve 2024 dhe 2025 pagesat janë vonuar për disa muaj, ndërsa deri në fund të shkurtit të këtij viti vonesa kishte arritur në tetë muaj.

Detyrimet e papaguara për periudhën nga qershori i vitit 2025 deri në janar të vitit 2026 kanë arritur në 8.4 miliardë denarë, ose rreth 136.4 milionë euro. Kjo situatë nuk ka penguar pensionistët të marrin shërbime shëndetësore, por ka krijuar presion të konsiderueshëm mbi likuiditetin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor. Përveç problemeve financiare, u evidentua mungesë të vazhdueshme të stafit profesional në Fond, veçanërisht në njësitë rajonale, sektorin e teknologjisë informative dhe auditimin e brendshëm. Sipas raportit, kjo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e punës dhe efikasitetin institucional.

Ndryshe, janë evidentuar edhe një sërë dobësish administrative dhe kontabël, përfshirë pasuri të paregjistruara, inventar të paplotë, mangësi në evidencën e të ardhurave, si dhe probleme në prokurimet publike dhe menaxhimin e pronës shtetërore. Në tërësi, raporti dërgon një sinjal alarmues se rritja e të ardhurave nga kontributet nuk po mjafton për të siguruar stabilitetin e sistemit pensional. Me numrin e pensionistëve që rritet më shpejt se ai i kontribuuesve dhe me varësinë në rritje nga buxheti i shtetit, qëndrueshmëria afatgjatë e fondit pensional mbetet një nga sfidat kryesore ekonomike dhe sociale të vendit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close