LajmeMaqedoni

Anketa e Bankës Popullore: Rritet pritshmëria pozitive nga të dhënat statistikore dhe shërbimet

Banka Popullore ka realizuar dy anketa të veçanta për matjen e kënaqësisë së përdoruesve dhe raportuesve të të dhënave statistikore. Anketat janë pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme për përmirësimin e procesit të mbledhjes së të dhënave, rritjen e cilësisë së tyre, si dhe avancimin e mënyrës së prezantimit dhe qasjes së informacionit për publikun.

Rezultatet tregojnë një nivel edhe më të lartë kënaqësie nga cilësia e të dhënave statistikore, qasja dhe publikimi i tyre i rregullt, si dhe nga komunikimi dhe mbështetja që ofron Banka Popullore. Krahasuar me anketat e realizuara në vitet 2021 dhe 2013, pothuajse në të gjitha segmentet e vlerësuara është regjistruar përmirësim, me nota mesatare që variojnë nga 3,8 deri në 4,6 (në shkallën 1 deri në 5).

Përdoruesit shprehin nivel të lartë kënaqësie nga portali statistikor NBStat, publikimet e rregullta statistikore dhe qasja e lehtë në informacionet statistikore. Veçanërisht është rritur kënaqësia nga cilësia e të dhënave statistikore, me notë mesatare 4,2. Vlerësime pozitive japin edhe raportuesit, të cilët vlerësojnë lart proceset e dorëzimit të të dhënave, thjeshtësinë e aplikacioneve dhe formularëve, si dhe bashkëpunimin profesional me të punësuarit në Drejtorinë e Statistikës. Në të dy grupet e të anketuarve, komunikimi me të punësuarit është segmenti më i vlerësuar, me notë mesatare 4,5, duke reflektuar përmirësim të vazhdueshëm krahasuar me anketat e mëparshme.

Anketa njëkohësisht evidenton mundësi për përmirësim të mëtejshëm të shërbimeve statistikore, kryesisht përmes sigurimit të shpjegimeve metodologjike më të qarta, thjeshtësimit të terminologjisë statistikore, organizimit të trajnimeve dhe punëtorive të rregullta, si dhe digjitalizimit të mëtejshëm të proceseve. Dialogu i rregullt me përdoruesit dhe raportuesit mbetet mekanizmi kryesor për avancimin e cilësisë së statistikës zyrtare, transparencës dhe besimit në të dhënat statistikore.

Në anketë janë përfshirë rreth 800 të anketuar, përfshirë persona fizikë, subjekte afariste, banka dhe kursimore, institucione të tjera financiare, institucione të administratës publike, studentë, studiues, media, organizata ndërkombëtare dhe organizata joqeveritare.

Related Articles

Back to top button
Close
Close