
Një sasi e madhe druri ka mbetur pas stuhisë së fortë që goditi Shkupin para disa ditësh, dhe një pjesë e saj tashmë po transportohet nga lokacione të ndryshme nëpër qytet. Nga Qyteti i Shkupit thonë se pemët nuk do të përfundojnë si mbeturina, por do të shfrytëzohen për nevojat e ndërmarrjeve publike.
Pas stuhisë, e cila solli erë me shpejtësi më të madhe se 130 kilometra në orë, nëpër kryeqytet u rrëzuan qindra pemë, u dëmtuan çati, gardhe dhe një numër i madh automjetesh. Edhe katër ditë më vonë, në shumë lokacione ka ende trungje të rrëzuara, sepse pastrimi po kryhet sipas prioriteteve.
Fillimisht u hoqën pemët që pengonin qarkullimin dhe përbënin rrezik për qytetarët, ndërsa ekipe të ndërmarrjeve publike dhe shërbimeve komunale vazhdojnë me pastrimin e lokacioneve të tjera.
Informacionet e para nga Ministria e Punëve të Brendshme flisnin për 189 pemë të rrëzuara, por sipas vlerësimeve numri i tyre është shumë më i madh. Dëmet më të mëdha u regjistruan në Parkun e Qytetit, në varrezat “Butel”, si dhe në komunat Karposh dhe Aerodrom.
Nga Qyteti i Shkupit informojnë se masa e drurit që po mblidhet pas stuhisë do të depozitohet dhe do të shfrytëzohet për nevojat e ndërmarrjeve publike, ndërsa transportimi i saj po bëhet në përputhje me planin për pastrimin e pasojave të stuhisë.



