Macja me bikutina “çmend” vizitorët në panairin me qindra kafshë ekzotike

Një nga panairet më të pazakontë të kafshëve në botë ka hapur dyert në Bangkok të Tajlandës, ku vizitorët po përballen me një spektakël plot ngjyra, kafshë ekzotike dhe pamje të pazakonta.
Një nga panairet më të pazakontë të kafshëve në botë ka hapur dyert në Bangkok të Tajlandës, ku vizitorët po përballen me një spektakël plot ngjyra, kafshë ekzotike dhe pamje të pazakonta. Nga 24 deri më 26 korrik, salla NEX Hall në qendrën tregtare Siam Paragon është shndërruar në shtëpinë e eventit “GEBI – The Grand Exotic Pet & Ball Python International 2026”, ku ekspozohen më shumë se 300 lloje dhe raca të rralla kafshësh.
Një nga atraksionet që ka tërhequr më shumë vëmendje është një mace Sphynx, e cila shfaqet me bikutina në kokë dhe sjellje që kanë argëtuar vizitorët, duke u bërë “ylli” i panairit. Në ekspozitë mund të shihen gjithashtu pitonë mbretërorë, zhapikë, majmunë kapuçinë dhe peshq dekorativë me ngjyra të pazakonta.
Organizatorët kanë zgjedhur si temë të edicionit të sivjetshëm “Arti i gjallë”, duke vënë në pah bukurinë dhe veçantinë e kafshëve ekzotike. Disa prej tyre janë zbukuruar me aksesorë të veçantë për t’u kthyer në modele fotografike dhe atraksione për vizitorët.
Edhe pitonët kanë vendin e tyre të veçantë. Për adhuruesit e zvarranikëve organizohen kampionate për pitonët aziatikë, ankande ndërkombëtare dhe madje edhe një garë argëtuese e quajtur “Racing Snake”, ku gjarpërinjtë “garojnë” mes tyre.
Sipas organizatorëve, panairi nuk synon vetëm të ekspozojë kafshët ekzotike, por edhe të promovojë kujdesin e përgjegjshëm ndaj tyre. Gjatë aktivitetit zhvillohen ligjërata, takime me ekspertë dhe mbarështues nga vende të ndryshme, si dhe sesione informuese për vizitorët.
Ata që sjellin kafshët e tyre shtëpiake në panair mund të përfitojnë edhe kontrolle veterinare falas, ndërsa hyrja në aktivitet është pa pagesë. Panairi pritet të tërheqë mijëra vizitorë, duke u konfirmuar si një nga ngjarjet më të veçanta për dashamirësit e kafshëve ekzotike në Azi.



