
Armando Sadiku është i ftuari i radhës në rubrikën “Legjendat Flasin”, ku ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare rikthen momentet më të rëndësishme të një karriere që ka lënë gjurmë në historinë e futbollit shqiptar.
Në një rrëfim të sinqertë dhe plot emocione, Sadiku ndalet te hapat e parë në futboll, ëndrra për t’u bërë një futbollist i madh dhe rrugëtimi i tij profesional, që nga pezullimi dyvjeçar e deri te eksperiencat në Zvicër, Poloni, Spanjë, Turqi, Bolivi dhe Indi.
Ish-sulmuesi kuqezi kujton me nostalgji ftesën e parë nga Kombëtarja dhe debutimin me fanellën kuqezi në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë, në shkurt të vitit 2012. Një vend të veçantë në rrëfimin e tij zë edhe Europiani 2016, ku Shqipëria shkroi historinë me pjesëmarrjen e parë në një fazë finale, ndërsa Sadiku ishte autori i golit të paharrueshëm të fitores ndaj Rumanisë.
Nga ëndrrat e një fëmije nga Elbasani deri te momentet që e bënë pjesë të historisë së futbollit shqiptar, Armando Sadiku sjell një rrëfim frymëzues në episodin më të ri të rubrikës “Legjendat Flasin”.



