LajmeMaqedoni

Pa drejtësi të pavarur, nuk ka Evropë!

Frustrimi i qytetarëve për zvarritjen e procesit të integrimit është bërë pjesë e përditshmërisë politike, ndërsa dilemat nëse vendi do të arrijë ndonjëherë të bëhet pjesë e familjes evropiane po shtohen. Pikërisht këtë realitet e pranoi publikisht edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Michalis Rokas, i cili në një intervistë për emisionin “Rishtazi” në KohaCast tha se e kupton plotësisht zhgënjimin e qytetarëve.

Dy dekada pas marrjes së statusit të vendit kandidat, Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet në sallën e pritjes së Bashkimit Evropian. Frustrimi i qytetarëve për zvarritjen e procesit të integrimit është bërë pjesë e përditshmërisë politike, ndërsa dilemat nëse vendi do të arrijë ndonjëherë të bëhet pjesë e familjes evropiane po shtohen. Pikërisht këtë realitet e pranoi publikisht edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Michalis Rokas, i cili në një intervistë për emisionin “Rishtazi” në KohaCast tha se e kupton plotësisht zhgënjimin e qytetarëve, por njëkohësisht dërgoi mesazhin se Bashkimi Evropian mbetet i vendosur që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e BE-së.

Rokas tha se, që nga ardhja e tij në vend, ka vendosur si prioritet vizitat në komuna dhe takimet e drejtpërdrejta me qytetarët, ku ka dëgjuar të njëjtin mesazh pothuajse kudo. “E ndjej plotësisht këtë frustrim. Që kur kam ardhur këtu, kam vendosur si prioritet të udhëtoj në të gjithë vendin dhe të takohem jo vetëm me autoritetet lokale, por edhe me qytetarët. Kudo që shkoj, e ndiej këtë ndjenjë zhgënjimi. Pritja ka qenë shumë e gjatë. Kanë kaluar 21 vjet që kur Maqedonia e Veriut mori statusin e vendit kandidat dhe njerëzit me të drejtë pyesin nëse anëtarësimi do të ndodhë ndonjëherë”, deklaroi Rokas.

Sipas tij, Bashkimi Evropian ka detyrimin t’u japë qytetarëve një përgjigje të qartë dhe të besueshme, sidomos tani kur politika e zgjerimit ka hyrë në një fazë të re. “Zgjerimi tani ka një impuls të ri dhe një moment të ri. Gjërat kanë ndryshuar në mënyrë dramatike që nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Ky është një moment që duhet shfrytëzuar. Ne jemi këtu për të dhënë një përgjigje konkrete dhe nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Bashkimi Evropian dëshiron që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e familjes evropiane”, tha ambasadori.

ZGJERIMI NË MOMENT HISTORIK

Ambasadori evropian vlerësoi se procesi i zgjerimit ndodhet në një nga periudhat më të favorshme që nga zgjerimi i madh i vitit 2004. Megjithatë, ai kujtoi se anëtarësimi mbetet një vendim politik që kërkon konsensus të të gjitha vendeve anëtare. “Kur bëhet fjalë për zgjerimin, duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm, sepse është një vendim politik dhe një proces që kërkon unanimitetin e vendeve anëtare. Për këtë arsye nuk mund të japësh kurrë garanci se çfarë do të ndodhë deri në një datë të caktuar”, tha ai. Sipas Rokasit, rrethanat e reja gjeopolitike e kanë bërë zgjerimin prioritet strategjik për vetë Bashkimin Evropian.

“Të gjitha yjet janë rreshtuar. Ekziston një vrull i jashtëzakonshëm dhe po shohim rezultate konkrete. Për Bashkimin Evropian, zgjerimi është bërë një çështje me rëndësi ekzistenciale, sidomos në një kohë kur përballemi me luftëra, sfida të sigurisë, ndryshime në marrëdhëniet transatlantike dhe konkurrencë të fortë gjeopolitike”, shprehet Rokas.

Ai shtoi se këtë e dëshmojnë edhe iniciativat e fundit të Gjermanisë, Francës dhe disa shteteve të tjera anëtare. “Po shohim dokumente jozyrtare dhe iniciativa nga Gjermania, Franca dhe një grup vendesh të tjera, të cilat po punojnë për ta bërë zgjerimin funksional. Nëse zgjerimi nuk do të ishte prioritet, nuk do të ekzistonte ky angazhim i gjerë politik”, potencon Rokas. Ai u bëri thirrje edhe vendeve kandidate të mos e humbin këtë moment. “Duke studiuar procesin e zgjerimit gjatë dy viteve të fundit, nuk kam parë kurrë një vrull të tillë. Kjo periudhë mund të krahasohet vetëm me zgjerimin e madh të Bashkimit Evropian para vitit 2004”, thotë ambasadori europian.

NDRYSHIMET KUSHTETUESE MBETEN PJESË E MARRËVESHJES

Në intervistë, ambasadori komentoi edhe debatin e brendshëm për ndryshimet kushtetuese dhe deklaratat e disa përfaqësuesve të pushtetit se vendi mund të ruajë marrëdhënie të shkëlqyera me Brukselin edhe pa u anëtarësuar në BE. Rokas ishte i prerë se bashkëpunimi i mirë nuk mund ta zëvendësojë anëtarësimin. “Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian. I takon vendit të vendosë nëse dhe si do ta zbatojë atë marrëveshje. Ky është një vendim sovran”, thotë ambasadori.

Ai theksoi se bashkëpunimi aktual mes Shkupit dhe Brukselit është në nivel të lartë, por nuk mund të krahasohet me përfitimet që sjell anëtarësimi. “Marrëdhëniet dypalëshe po zhvillohen shumë mirë, por nuk duhet të ketë asnjë dyshim se ato nuk mund të krahasohen me procesin e anëtarësimit. Anëtarësimi do të sillte më shumë fonde, më shumë përfitime dhe do ta transformonte perspektivën e vendit, duke e bërë atë një shtet më të begatë si pjesë e familjes evropiane”, tha Rokas. Sipas tij, zgjerimi vazhdon të jetë politika më e suksesshme e Bashkimit Evropian. “Kur Bashkimi Evropian synon të forcojë rolin e tij në arenën ndërkombëtare, çfarë perspektive më të mirë mund të ketë Maqedonia e Veriut sesa të jetë pjesë e familjes evropiane dhe të marrë pjesë në këtë proces?”, shprehet Rokas.

PARALAJMËRIM PËR NDËRHYRJET POLITIKE NË DREJTËSI

Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua edhe sundimit të ligjit. Ambasadori tha se raporti i fundit i Bashkimit Evropian njeh progres në disa fusha, por evidenton qartë se ndërhyrjet politike në drejtësi mbeten një problem serioz. “Raporti ynë njeh progresin, veçanërisht me miratimin e disa ligjeve kyçe, por në të njëjtën kohë evidenton çështjet që ende duhet të zgjidhen. Ndërhyrja politike është njëra prej tyre dhe është shumë e rëndësishme që gjyqësori të jetë i lirë të veprojë dhe të japë rezultate pa asnjë ndikim politik”, theksoi ambasadori.

Ai tha se drejtësia nuk mund të funksionojë pa financim dhe burime njerëzore të mjaftueshme. “Nëse dëshirojmë një gjyqësor që jep rezultate, ai duhet të ketë staf të mjaftueshëm dhe fonde në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën. Këto janë tri fushat kryesore që kërkojnë vëmendje”, u shpreh Rokas.  Ai kujtoi se Bashkimi Evropian ka qenë vazhdimisht konsistent në këtë qëndrim. “Ne kemi qenë shumë konsistentë. Raportet tona vjetore flasin qartë për nevojën e forcimit të sundimit të ligjit. Ligjet duhet të miratohen sipas procedurave të duhura dhe kjo është pjesë e Axhendës së Reformave. Nga ana tjetër, u bëjmë thirrje politikanëve dhe partive politike të përmbahen nga komentet dhe gjykimet për punën e gjyqësorit”, tha Rokas duke shtuar se gjatë vizitave në vend ka dëgjuar shpesh ankesa për vonesat në drejtësi. “Gjyqësori duhet të ketë mundësi të tërheqë dhe të mbajë gjyqtarë e prokurorë të rinj, si dhe të ketë logjistikën, teknologjinë dhe mbështetjen e nevojshme. Gjatë vizitave të mia kam dëgjuar shpesh ankesa se drejtësia vonohet ose nuk mund të jepet siç duhet për shkak të problemeve administrative”, u shpreh Rokas.

Në fund, ambasadori rikujtoi se sistemi gjyqësor aktualisht financohet me rreth gjysmën e mjeteve që i garanton Kushtetuta. “E dimë shumë mirë se në këtë moment gjyqësori merr vetëm gjysmën e financimit të paraparë me Kushtetutë”, tha mes tjerash ambasadori i BE-së në Shkup, Rokas.

Related Articles

Back to top button
Close
Close