LajmeMaqedoni

Prokuroria nuk e lidh vdekjen e punonjësit të “Komunalecit” me ndotjen e ujit në Gostivar, ekziston edhe video e ndërhyrjes së tij

Prokuroria, për momentin, nuk ka konstatuar parregullsi në ndërhyrjen e punëtorit që humbi jetën në një kanal të ujësjellësit të Gostivarit, 10 ditë para se të vendoseshin pompat që ndotën ujin me baktere fekale. Megjithatë, ende pritet raporti zyrtar i obduksionit, edhe pse sipas Prokurorisë, shkaku i vdekjes dyshohet të ketë qenë sulmi në zemër.

Nga Inspektorati i Punës, ndërkaq, për televizionin Telma bëjnë të ditur se punonjësi kishte kryer punë për NP “Komunalec” të Gostivarit gjatë kohës që ishte në pushim vjetor, fakt që është përfshirë edhe në raportin e dërguar në Prokurori. Nuk është vërtetuar nëse ai kishte vepruar me urdhër të punëdhënësit apo me iniciativën e tij, por nga Inspektorati thonë se puna është kryer në mënyrë të improvizuar.

Ai ishte lidhur me një litar gjatë zbritjes në kanal, ndërsa skaji tjetër i litarit ishte lidhur për një pemë. Sipas Telmës, ndërhyrja ishte filmuar edhe me telefon celular dhe ekziston një incizim video.

Nga ana tjetër, Prokuroria thekson se bëhej fjalë për një punëtor me përvojë shumëvjeçare dhe se ky rast nuk ka asnjë lidhje me vendosjen e pompave që synonin të rrisnin presionin e ujit në rrjetin e ujësjellësit, por që përfundimisht shkaktuan ndotjen e tij.

Ndërhyrja në kanalet ujore nuk kishte lidhje as me presionin e ujit në Debreshë, prej nga ishte punëtori dhe ku banorët protestuan për furnizim me ujë të pijshëm, e as me ndotjen e ujit në Gostivar. Punimet po kryheshin në territorin e fshatit Gorno Jellovcë, i cili, sipas Prokurorisë, ndodhet larg vendit ku u vendosën pompat në dhomën e tejmbushjes, përmes të cilave u ndot rrjeti i ujësjellësit të Gostivarit.

Se një punëtor kishte humbur jetën në këtë datë është evidentuar edhe në buletinin policor të 16 qershorit, ku thuhet se në vendin e ngjarjes kishte dalë edhe një prokuror publik.

“Më 15.06.2026, në ora 12:47, në SPB Tetovë është raportuar se në një kanal uji në territorin e fshatit Gorno Jellovcë është gjetur një person i pajetë. Zyrtarët policorë dolën në vendngjarje dhe konstatuan se bëhej fjalë për N.M. (64) nga fshati Debreshë, i punësuar në NP ‘Komunalec’ Gostivar. Sipas raportimit, ai kishte shkuar me kolegët për të pastruar kanalin, ku ndodheshin kanale për grumbullimin e ujërave rrjedhëse, dhe ishte bllokuar në njërin prej tyre. Pasi u nxor nga ekipi i Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve të Gostivarit, mjeku i Ndihmës së Shpejtë konstatoi vdekjen. Në vendngjarje doli edhe një inspektor i punës, ndërsa këqyrjen e kryen ekipet e SPB Gostivar dhe prokurori publik, me urdhrin e të cilit trupi i të ndjerit u dërgua për obduksion”, thuhet në buletin.

Raportet e Inspektoratit të Punës dhe të obduksionit ende nuk janë përfunduar.

Sipas Prokurorisë, më 25 qershor, drejtoresha dhe dy drejtues të NP “Komunalec” kishin urdhëruar vendosjen e tre pompave zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor që përmbante substanca të dëmshme.

Kësaj i paraprinë protestat e 19 qershorit para komunës nga banorët e Debreshës, të cilët kërkonin furnizim me ujë të pijshëm, por edhe kryetari i komunës ka deklaruar se këto protesta nuk lidhen me vendosjen e pompave.

Uji në Gostivar është ndotur me baktere fekale, ndërsa shteti shpalli epidemi dhe ndaloi përdorimin e tij.

Related Articles

Back to top button
Close
Close