
Ndërmarrja Publike “Parqe dhe Gjelbërime” në Shkup u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të paralajmërimeve për mot të paqëndrueshëm, raporton Zyrtare.
Sipas njoftimit, bazuar në paralajmërimin e Entit Hidrometeorologjik për reshje të dendura shiu, bubullima dhe erë të fuqishme, qytetarëve u rekomandohet që të mos i parkojnë automjetet e tyre nën pemë dhe të shmangin qëndrimin pranë vegjetacionit të lartë, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga pasojat e mundshme.
Nga ndërmarrja bëjnë thirrje që çdo rast i pemëve të rrëzuara, degëve të thyera apo rreziqeve të tjera të shkaktuara nga kushtet e pafavorshme atmosferike të raportohet menjëherë në numrin emergjent **112** ose në numrat kujdestarë të publikuar në faqen zyrtare të NP “Parqe dhe Gjelbërime”.
Në fund të njoftimit, ndërmarrja apelon që qytetarët t’i respektojnë rekomandimet e institucioneve dhe të tregojnë kujdes derisa të zgjasin kushtet e motit të paqëndrueshëm.



