
Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nisur procedurë ndaj një 30-vjeçari, i dyshuar për veprën penale “rrezikim me mjet të rrezikshëm gjatë një përleshjeje ose grindjeje”. Sipas Prokurorisë, i dyshuari, i cili kishte punuar në firmën e çiftit të dëmtuar, u ka kërkuar atyre pagesën e ditëve të fundit të papaguara. Më 21 korrik, në fshatin Trubarevë, ai dyshohet se u ka dalë përpara me thikë çiftit teksa po largoheshin me makinë nga kompania, duke i kërcënuar dhe ofenduar.
“I dyshuari me thikë në dorë ka qëndruar para automjetit, duke bërë lëvizje agresive, duke i ofenduar dhe kërcënuar të dëmtuarit, ndërsa më pas me thikë ka prerë gomën e pasme të majtë të automjetit. Gruaja e frikësuar është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është futur në një kazino aty pranë, nga ku ka njoftuar policinë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori publik ka kërkuar nga Gjykata Penale në Shkup caktimin e masave të kujdesit ndaj të dyshuarit, përfshirë ndalimin e largimit nga vendbanimi, konfiskimin e përkohshëm të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e afrimit ndaj të dëmtuarve.



