
Bradley Barcola vazhdon të jetë një nga emrat më të përfolur të afatit kalimtar të verës.
Sulmuesi anësor 23-vjeçar i Paris Saint-Germainit e ka zgjuar interesimin e disa prej klubeve më të mëdha në Evropë dhe gara për transferimin e tij po bëhet gjithnjë e më e fortë.
Sipas raportimeve të “The Sun”, edhe Manchester United është futur në garë, duke iu bashkuar Bayern Munichut, Arsenalit dhe Liverpoolit.
Megjithatë, Liverpooli konsiderohet favorit për t’i siguruar shërbimet e francezit
Drejtuesit e klubit anglez besojnë se kanë shanse të mëdha për ta mbyllur marrëveshjen dhe e shohin Barcolan si profilin ideal për ta zëvendësuar Mohamed Salahun në repartin ofanziv.
Pasi hoqën dorë nga transferimi i talentit Yan Diomandé, i cili pritet t’i bashkohet PSG-së, “The Reds” kanë vendosur ta bëjnë Barcolan objektivin kryesor të verës për sulmin.
Nga ana tjetër, Arsenali nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga gara.
“Topçinjtë”, pas dështimit për ta transferuar Morgan Rogersin, i cili e zgjodhi Chelsean, janë të gatshëm ta bëjnë një ofertë të re për Barcolan në përpjekje për ta kaluar Liverpoolin në momentet vendimtare të negociatave.
Ndërkohë, Paris Saint-Germaini po i ndjek me vëmendje zhvillimet, duke qenë i vetëdijshëm se e ka në skuadër një nga lojtarët më të kërkuar të kësaj vere.



