BotaLajmeTopLajm

Izraeli filloi të gërmojë hendekë për krokodilë rreth burgut ku mbahen anëtarë të Hamasit

Izraeli ka filluar të gërmojë hendekë të destinuar për krokodilë rreth një krahu me siguri të lartë të burgut Keciot në pjesën jugore të vendit, ku mbahen të burgosur anëtarë të Hamasit, njoftoi sot gazeta izraelite “Yediot Ahronot”.

Sipas gazetës, hendekët po gërmohen rreth burgut Keciot dhe do të kenë gjatësi rreth 170 metra.

Një përfaqësues i Këshillit Rajonal Ramat Negev, në territorin e të cilit ndodhet burgu, deklaroi se hendekët po gërmohen brenda kompleksit të burgut, rreth njërit prej krahëve specialë, dhe nuk janë të dukshëm nga jashtë.

– Askush nuk e di nëse aty vërtet do të ketë krokodilë, por përgatitjet janë në vazhdim – tha përfaqësuesi i paemëruar.

Ministria izraelite e Sigurisë Kombëtare konfirmoi gjithashtu se kanë filluar punimet për kanalet e destinuara për krokodilë, shkruan gazeta.

Projekti vjen pas vendimit të javës së kaluar të ministres së Mbrojtjes së Mjedisit, Idit Silman, për të riklasifikuar krokodilin nilik si “kafshë e egër e zbutur”, pavarësisht kundërshtimit të shërbimeve profesionale në ministrinë e saj.

Kabineti i ministrit të ekstremit të djathtë për Siguri Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, njoftoi se vendimi i Silman “ia hapi rrugën projektit” dhe se “faza pilot e burgut me krokodilë ka filluar zyrtarisht” në një prej krahëve të burgut Keciot.

– Kushdo që mendonte se kjo ishte vetëm një truk, u mashtrua – thuhet në deklaratën e kabinetit të Ben-Gvir.

Sipas “Yediot Ahronot”, Shërbimi izraelit i Burgjeve ka përgatitur një plan për kujdesin, mbikëqyrjen dhe strehimin e krokodilëve, ndërsa punonjësit e burgut kanë kaluar trajnim special për trajtimin e tyre. Për projektin janë ndarë 21 milionë shekela (rreth 6,3 milionë dollarë amerikanë).

Që nga 8 tetori 2023, Izraeli ka arrestuar qindra palestinezë, duke pretenduar se i përkasin njësisë Nukhba, pjesë e krahut ushtarak të Hamasit, dhe planifikon t’u gjykojë para gjykatave speciale.

Ben-Gvir më herët ka publikuar video nga krahu special në Keciot për të treguar kushtet e rrepta të paraburgimit, duke përfshirë ndalimin e të burgosurve për të dalë nga krahu, heqjen e batanijeve dhe ushqimit, si dhe detyrimin për të fjetur mbi pllaka metalike.

Administrata izraelite për Natyrën dhe Parqet Kombëtare mbajti të martën një takim urgjent për përdorimin e mundshëm të krokodilëve në burgje, ku të gjithë pjesëmarrësit u shprehën kundër propozimit.

Gazeta shkruan se vendimi i Silman është në kundërshtim me mendimin e këshilltarit juridik të Ministrisë së Mbrojtjes së Mjedisit dhe me qëndrimin profesional të Administratës për Natyrën dhe Parqet.

Kecioti, i vendosur në shkretëtirën Negev, është burgu më i madh në Izrael dhe ka seksione speciale për të burgosur palestinezë të cilësuar si “të sigurisë”. Për shumë vite është përdorur për mbajtjen e personave nga Rripi i Gazës dhe Bregu Perëndimor.

Sipas organizatave palestineze për të drejtat e të burgosurve, numri i palestinezëve në burgjet izraelite që nga fillimi i ofensivës ushtarake izraelite në Gaza në tetor 2023 është rritur me 83 për qind, nga rreth 5.250 në më shumë se 9.600 persona.

Related Articles

Back to top button
Close
Close