
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Maqedoninë e Veriut, Martin Pammer, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, perspektivën evropiane dhe sfidat institucionale.
Sipas Ahmetit, gjatë takimit është ritheksuar se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian mbetet orientimi strategjik i vendit dhe se nuk ekziston alternativë tjetër.
Ai theksoi se përparimi në procesin eurointegrues kërkon respektimin e Marrëveshjes së Ohrit, forcimin e sundimit të së drejtës, funksionimin e institucioneve mbi parimet e barazisë dhe demokracisë, si dhe përmbushjen e obligimeve që dalin nga procesi i integrimit evropian.
Ahmeti vlerësoi gjithashtu se marrëdhëniet e mira ndëretnike, politika e fqinjësisë së mirë dhe zhvillimi ekonomik që garanton mirëqenie për qytetarët mbeten shtyllat kryesore për ndërtimin e së ardhmes evropiane të vendit.
Sipas tij, vetëm përmes ruajtjes së këtyre vlerave, Maqedonia e Veriut mund të ecë përpara me siguri, stabilitet dhe dinjitet.



