LajmeMaqedoni

Rinovohet Traumatologjia në spitalin “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup! Përmirësohen kushtet për pacientët

Reparti i Traumatologjisë në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup është vënë në funksion pas një rinovimi të plotë, me qëllim përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve dhe punën e stafit mjekësor. Reparti disponon me 26 shtretër spitalorë dhe gjatë një viti realizohen rreth 1.100 ndërhyrje kirurgjikale, të cilat kryhen nga nëntë kirurgë traumatologë. Bëhet fjalë për një nga qendrat kryesore për trajtimin e lëndimeve traumatike në vend.

Në kuadër të rikonstruksionit janë vendosur shtretër të rinj spitalorë, është rinovuar plotësisht rrjeti elektrik dhe ai i ujësjellësit, janë rikonstruktuar nyjat sanitare, si dhe janë instaluar dyer të reja të projektuara sipas standardeve për parandalimin e përhapjes së infeksioneve. Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se investime të tilla do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe në krijimin e kushteve më të mira si për pacientët, ashtu edhe për personelin mjekësor.

“Investimi është rreth 200 mijë euro vetëm për punët ndërtimore, me investim shtesë 30 mijë euro që është për gjithë orenditë e repartit, pra shtretër të rinj, mbajtëse të serumeve, që janë siguruar me sponzorizime, nga kompani me përgjegjësi sociale. Përndryshe ato 200 mijë euro janë nga buxheti i vetë spitalit”, tha Nebojsha Nastov, Drejtor i Klinikës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close