
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump pritet të shpallë sot arritjen e një marrëveshjeje të gjerë bashkëpunimi bërthamor me Arabinë Saudite, e cila sipas mediave amerikane do të ketë një afat 30-vjeçar dhe një vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh.
Sipas raportimeve të Wall Street Journal marrëveshja i jep kompanive amerikane një rol kyç në zhvillimin e infrastrukturës bërthamore saudite, duke përfshirë mundësinë e ndërtimit të një impianti për pasurimin e uraniumit në territorin e Arabisë Saudite.
Marrëveshja pritet të nënshkruhet dhe të bëhet publike gjatë së mërkurës, ndërsa më pas do t’i dërgohet Kongresit amerikan për shqyrtim.
Sipas New York Times, administrata Trump ka pranuar disa kushte të kërkuara nga Riadi, përfshirë kufizimin e aksesit të inspektorëve ndërkombëtarë në disa objekte bërthamore dhe mundësinë që, pas një studimi të përbashkët teknik, Arabia Saudite të pasurojë uranium ose të ripërpunojë plutonium në territorin e saj.
Marrëveshja bazohet në të ashtuquajturën “Marrëveshje 123”, një mekanizëm ligjor amerikan që rregullon bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e energjisë bërthamore dhe synon të parandalojë përhapjen e armëve bërthamore. Deri më tani, SHBA ka nënshkruar 26 marrëveshje të tilla me 51 qeveri dhe Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Megjithatë, iniciativa ka shkaktuar debate në Uashington. Ligjvënës nga të dyja partitë, si edhe zyrtarë izraelitë, kanë shprehur shqetësimin se zhvillimi i një programi civil bërthamor mund të krijojë në të ardhmen kapacitete për prodhimin e armëve bërthamore.
Negociatat mes dy vendeve kanë nisur pas vizitës së Princit të Kurorës Mohammed bin Salman në Shtëpinë e Bardhë në nëntor të vitit të kaluar, kur palët ranë dakord të thellonin bashkëpunimin për përdorimin paqësor të energjisë bërthamore. Drafti përfundimtar i marrëveshjes është përgatitur gjatë muajve të fundit dhe pritet të dorëzohet për miratim në Kongresin amerikan.
Marrëveshja vjen në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa Arabia Saudite ka deklaruar më herët se do të kërkojë të njëjtat kapacitete bërthamore nëse Irani zhvillon armë bërthamore.




