
Zyra e Jashtme për Punë Kriminalistike në Probishtip ka paraqitur kallëzim penal ndaj pesë personave fizikë dhe katër personave juridikë, mes të cilëve edhe një i punësuar në Agjencinë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Qendra për Punësim Probishtip. Ata dyshohen për disa vepra të vazhdueshme penale, përfshirë keqpërdorim të pozitës zyrtare, keqpërdorim të procedurës për ndarjen e granteve dhe pastrim parash.
Grantet për Romët kanë përfunduar te persona që nuk i plotësonin kushtet
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pronarët dhe drejtuesit e kompanive të denoncuara, në marrëveshje me udhëheqësin e Qendrës për Punësim në Probishtip, kanë përfituar në mënyrë të paligjshme ndihmë financiare të pakthyeshme përmes masës qeveritare të vitit 2024, e cila ishte e dedikuar për punësimin e personave të papunë nga komuniteti rom.
Në procedurë, në vend të personave që i plotësonin kushtet, janë punësuar persona që nuk ishin Romë dhe që kishin pasur përvojë të mëparshme pune. Sipas kallëzimit, përvoja e tyre e mëparshme e punës është fshirë në mënyrë të paligjshme nga evidenca e Agjencisë për Punësim, duke i paraqitur si persona që i plotësonin kushtet për të përfituar nga masa.



