
Shtabi i krizës është aktivizuar dhe do të ketë një numër telefoni ku qytetarët mund të drejtohen për ndihmë dhe furnizim me ujë të pijshëm. Këto janë disa nga masat që Komuna e Gostivarit do t’i zbatojë nga sot. Këtë e bëri të ditur kryetari i komunës, Valbon Limani, në një konferencë për media në Gostivar.
Këshilli i Komunës do të mbajë edhe një seancë të jashtëzakonshme gjatë pasdites.
“Me propozimin tim, tashmë është aktivizuar Shtabi i Krizës i komunës sonë dhe së shpejti do të mblidhet. Ai do të japë rekomandime, por edhe ndihmë për të gjithë qytetarët që kanë nevojë”, tha Limani.
Ai njoftoi se për marrjen e vendimeve dhe masave do të diskutohet edhe në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit, me qëllim që t’u ndihmohet qytetarëve të prekur nga kjo situatë.
“Komuna do të publikojë edhe një numër zyrtar telefoni ku qytetarët që nuk mund të dalin për të marrë ujë, mund të telefonojnë dhe ekipet mobile do t’ua dërgojnë ujin në shtëpitë e tyre”, deklaroi kryetari i Gostivarit.
Limani theksoi se pushteti lokal është në koordinim me të gjitha institucionet relevante dhe po bashkëpunon me to për të zbardhur, siç tha ai, të vërtetën.
“Me publikimin e rezultateve, menjëherë do të fillojmë me aktivitetet për dezinfektimin dhe pastrimin e rrjetit të ujësjellësit, si dhe kontrolle të përforcuara për të siguruar qasje sa më të shpejtë në ujë të sigurt për qytetarët”, tha Limani.
I pyetur për marrjen e përgjegjësisë për situatën e krijuar, kryetari Limani tha se nuk ndjen përgjegjësi morale dhe se si masë ka pezulluar drejtoreshën e NP “Komunalec” dhe një pjesë të udhëheqësisë përgjegjëse për ujësjellësin.
“Jam në kontakt me drejtoreshën e NP ‘Komunalec’ dhe udhëheqësinë. Ata aktualisht janë të pezulluar nga këto funksione. Sot presim rezultatet dhe në bazë të tyre do të veprojmë. Nuk dua që dikush paraprakisht të marrë fajin, por gjithashtu nuk dua që në asnjë mënyrë të pengohet puna e organeve kompetente. Unë nuk ndjej përgjegjësi morale, sepse ndërmarrja publike është person juridik që menaxhon këtë çështje. Sikur të ishte ndryshe, dorëheqja e parë do të vinte nga ana ime”, tha Limani.
Ai sqaroi se problemet me ujësjellësin e qytetit kanë një histori shumëvjeçare, por kryesisht kanë të bëjnë me mungesën e ujit. Sipas tij, një nga prioritetet që ka ndërmarrë pas marrjes së detyrës është ndërtimi i një linje të re të ujësjellësit, për të cilën tashmë po punohet.
Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Komunës është caktuar për orën 15:00.



