Haxhiu shpreh ngushëllime për vdekjen e tre shtetasve të Kosovës në aksidentin në Maqedoni

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu ka shprehur ngushëllime familjarëve të tre shtetasve të Kosovës që humbën jetën në një aksident në Maqedoni të Veriut afër kufirit me Kosovën.
Haxhiu ka thënë se udhëtimi i tyre për në shtëpi u ndërpre pak metra larg vendlindjes.
“Më pikëlloi thellë lajmi për humbjen tragjike të jetës së tre qytetarëve tanë nga Vushtrria, Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit, në aksidentin pranë Bllacës. Udhëtimi i tyre drejt shtëpisë u ndërpre vetëm pak kilometra larg Kosovës, duke lënë pas dhimbje të madhe për familjet dhe të gjithë ata që i njohën. Në këto çaste të rënda, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve Tërnava dhe Shabani, të afërmve dhe miqve të tyre. Jemi pranë jush dhe ndajmë dhimbjen tuaj. U prehshin në paqe”, ka shkruar Haxhiu.
Tre shtetasit kosovarë janë gjetur të vdekur në veturën e tyre që ishte rrokullisur në rrugën nga pika kufitare Bllacë drejt Shkupit.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.
Për vdekjen e tyre ngushëllime ka shprehur edhe kryetari i Vushtrrisë, Ferid Idrizi.



