LajmeRajon

Berisha: Kushtetuesja mbajti në fuqi amendimin e ligjit për zonat e mbrojtura, të kundërshtuar me forcë nga PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.

Pas daljes nga SPAK, Berisha në një prononcim për mediet foli për çështjen në fjalë, duke përsëritur akuzat e tij ndaj drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.

Berisha deklaroi se në dokumentin që la në SPAK kishte shkruar mesazhin: “Drejtësia vonon, por nuk harron”, ndërsa akuzoi ish-drejtuesin e SPAK, Altin Dumani si, “avokat të narkoshtetit shqiptar”.

“Në dokumentin që lashë, sot kam shkruar: ‘Altin Gjoka Troplini Hajri, armikut primitiv të pluralizmit politik të Shqipërisë dhe avokatit të narkoshtetit shqiptar, drejtësia vonon, por nuk harron’”, theksoi Berisha.

Berisha u pyet se çfarë kishte gjetur në korridoret e SPAK-ut, ndërsa u shpreh se aty kishte “thasë dhe arka plot e përplot me narko-euro”.

“Me një fjalë, institucioni ishte tërësisht i pushtuar nga paratë e drogës”, deklaroi Berisha.

Ai vijoi akuzat ndaj institucioneve të drejtësisë, duke pretenduar se prej të paktën një viti mbahen sekret emrat e disa zyrtarëve të lartë që, sipas tij, kanë udhëtuar me biznesmenë me një çarter të veçantë nga Tirana në Aruba.

Berisha deklaroi se kërkesa e tij për shfuqizimin e masës së sigurisë është depozituar në Gjykatën Kushtetuese rreth 10 muaj më parë dhe se shqyrtimi i saj është shtyrë për në muajin tetor.

Berisha theksoi se kjo gjykatë ka shqyrtuar më shpejt kërkesa të tjera, ndërsa për çështjen e tij nuk ka respektuar afatet ligjore.

Ai kritikoi gjithashtu vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin për investimet strategjike, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zonat e mbrojtura, duke deklaruar se këto çështje janë kundërshtuar nga opozita.

“Grupi parlamentar i PD ka kundërshtuar në parlament dhe ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese ligjin e investimeve strategjike. Gjykata Kushtetuese, pavarësisht kërkesave të prera të Komisionit Evropian dhe Bashkimit Evropian, e ka lënë në fuqi ligjin. PD ka dërguar në këtë gjykatë ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ishte fjala konkretisht për parkun absolutisht më të bukur, më të mirë në Evropë, që është parku i Butrintit. Gjykata Kushtetuese firmosi për shkatërrimin e tij, vendimin e qeverisë. Gjykata Kushtetuese mbajti në fuqi amendimin e ligjit për mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe peizazheve natyrore, të kundërshtuar me forcë nga PD”, tha Berisha.

GJKKO ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, ku ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close