
Lionel Messi pranon se fotografia virale ku ai po lante në vaskë Lamine Yamalin gjashtëmuajsh është “e pabesueshme”, ndërsa dy futbollistët përgatiten të përballen në finalen e Kupës së Botës, gati dy dekada më vonë.
Fitorja e Argjentinës ndaj Anglisë të mërkurën mbrëma siguroi një finale shumë tëpritur ndaj Spanjës të dielën, duke vënë përballë kampionët e botës me talentin 19-vjeçar Lamine Yamal, i cili nga shumë konsiderohet si pasardhësi i mundshëm i Messit.
Pas konfirmimit të finales, në rrjetet sociale u rikthye një fotografi e vitit 2007, ku Messi, atëherë lojtar i Barcelonës, shfaqet duke larë në një vaskë plastike blu një Lamine Yamal vetëm gjashtë muajsh.
Fotografia ishte realizuar gjatë një sesioni fotografik për gazetën sportive Diario Sport dhe organizatën UNICEF. Më vonë, Messi shihet edhe duke mbajtur në krahë foshnjën e mbështjellë me një peshqir.
Pamjet u publikuan në Instagram nga babai i Yamalit, Mounir Nasraoui, në vitin 2024, me mbishkrimin: “Fillimi i dy legjendave.”
Dy ditë para finales së Kupës së Botës, Messi u pyet për këtë fotografi gjatë pjesëmarrjes në Fanatics Fest në Nju Jork.
“Ajo fotografi është e pabesueshme. Ai ishte vetëm një foshnjë dhe tani do të përballemi në fushë. Është vërtet një foto e çmendur,” tha Messi, duke iu përgjigjur pyetjes së ish-yllit të NFL-së, Tom Brady.
“I uroj gjithë të mirat. Ai është gjithashtu pjesë e Barcelonës. Ne do të përpiqemi t’i japim Spanjës ndeshjen më të mirë të mundshme, por Lamine nuk është lojtari i vetëm i madh që ka kjo skuadër. Edhe ne do të japim maksimumin,” shtoi ai.
Para se të komentonte fotografinë, Messi e cilësoi Yamalin si “një nga futbollistët më të mirë në botë për momentin.”
“Është vetëm 19 vjeç dhe e ka gjithë të ardhmen përpara. Ka mundësinë të shkruajë histori, por edhe ne do të bëjmë gjithçka për të fituar,” deklaroi kapiteni i Argjentinës.
Fotografinë e realizoi në vitin 2007 fotografi Joan Monfort, i cili punon si foto-gazetar i pavarur për Associated Press (AP). Ajo ishte pjesë e një kalendari bamirësie të organizuar nga gazeta Sport në bashkëpunim me UNICEF.
“Nuk kam besuar kurrë se gjërat janë të paracaktuara, por tani po filloj të dyshoj. Kjo shkon përtej çdo shpjegimi logjik,” u shpreh Monfort.
Sipas tij, nëna e Yamalit fitoi rastësisht një short mes familjeve të qytetit Mataró, pranë Barcelonës, që dëshironin të merrnin pjesë në projekt. Fati bëri që foshnja e saj të fotografohej pikërisht me Messin, i cili më vonë do të shndërrohej në një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Messi ishte vetëm 20 vjeç kur u takua me Lamine Yamalin foshnjë, pak vite përpara se të ngjitej në majën e futbollit botëror.
Sot, në moshën 39-vjeçare, edhe pse nuk luan më në një nga pesë kampionatet më të forta të Evropës, kapiteni i Argjentinës vazhdon të konsiderohet ndër më të mirët në botë, pasi udhëhoqi kombëtaren drejt një finaleje tjetër të Kupës së Botës.
Nga ana tjetër, shumë e shohin Lamine Yamalin si pasardhësin e Messit në fronin e futbollit botëror, pasi ai ka ndihmuar Spanjën të shpallet kampione e Evropës dhe ka fituar tre tituj në Spanjë me Barcelonën, ende pa mbushur 19 vjeç.


