
Një ish-punonjës i shërbimeve sekrete marokene ka zbuluar detaje mbi përdorimin nga qeveria e Marokut të programeve të hakerimit, përfshirë spyware-in izraelit Pegasus, për të përgjuar gazetarë, mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe zyrtarë të huaj.
Zbulimet e sinjalizuesit janë publikuar në një hetim të përbashkët të publikuar të enjten nga Forbidden Stories, Amnesty International dhe 13 organizata mediatike.
Një hetim i vitit 2021 kishte akuzuar Marokun se kishte përdorur Pegasus-in, të zhvilluar nga kompania izraelite NSO Group, për të spiunuar kritikët e tij, por edhe aleatët. Në atë kohë, Rabati i mohoi këto akuza.
Ish-oficeri i inteligjencës marokene deklaroi se kishte qenë dëshmitar i marrëdhënies së autoriteteve marokene me Pegasus-in, që nga prezantimi i tij tek zyrtarët e inteligjencës deri te përdorimi praktik.
Sinjalizuesi, i identifikuar me pseudonimin Safir, ka punuar për gati një dekadë në Drejtorinë e Përgjithshme të Mbikëqyrjes së Territorit (DGST), shërbimin e inteligjencës së brendshme të Marokut.
Dëshmitë e tij, sipas hetimit, janë mbështetur nga prova të mbledhura nga konsorciumi hetues, përfshirë email-e të rrjedhura, të dhëna mbi objektivat e Pegasus-it dhe programeve të tjera spiunuese, dëshmi të viktimave, materiale të brendshme trajnimi, si dhe analiza të kryera nga Laboratori i Sigurisë i Amnesty International.
Pegasus u prezantua në një vilë luksoze në Rabat
Sipas hetimit, Pegasus iu prezantua për herë të parë shërbimeve sekrete marokene në vitin 2017, gjatë një takimi në një vilë luksoze në kryeqytetin Rabat.
Përfaqësues të kompanisë izraelite NSO Group, zhvilluese e Pegasus-it, mbajtën një prezantim të detajuar për zyrtarë të lartë të inteligjencës marokene dhe ekspertë teknikë.
Vila njihej si “FSSYS Villa”, sipas FSSYS Maroc, degës marokene të ndërmjetësit emiratian të teknologjisë së mbikëqyrjes al-Fahad.
Safir pretendon se programi i kushtueshëm Pegasus ishte një dhuratë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Për Emiratet, miliona dollarë nuk janë asgjë,” tha ai. “Ata e blenë dhe ua shpërndanë shërbimeve mike. Është si Netflix-i: një mik paguan abonimin dhe të tjerët përdorin llogarinë e tij.”
Për shkak të kostos së lartë, raporti thekson se DGST-ja e përdorte Pegasus-in vetëm si opsion të fundit, pasi shteroheshin metodat më të lira të mbikëqyrjes.
Këto metoda përfshinin monitorimin e kompjuterëve në internet-kafe dhe madje bindjen e shitësve të telefonave që t’u shisnin disidentëve telefona të infektuar paraprakisht me programe të tjera spiunuese.
“Ne nuk fillonim kurrë me Pegasus-in. Ai është arma e përbindëshit,” tha Safir.
Gazetarë, aktivistë dhe zyrtarë spanjollë në shënjestër
Sipas të dhënave të rrjedhura, në shtator 2017, pak pas takimit në vilë, DGST-ja përdori Pegasus kundër gazetarëve dhe aktivistëve marokenë për të drejtat e njeriut.
Megjithatë, objektivat nuk ishin vetëm qytetarët marokenë.
Aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut nga Sahara Perëndimore, Aminatou Haidar, dhe gazetari spanjoll Ignacio Cembrero ishin ndër më shumë se 200 numrat spanjollë të telefonit të përzgjedhur për t’u sulmuar me Pegasus nga një përdorues që hetuesit besojnë se ishte Maroku.
Hetimi zbulon se në shënjestër ishin edhe zyrtarë të lartë spanjollë, përfshirë ministren e Mbrojtjes Margarita Robles dhe ministrin e Brendshëm Fernando Grande-Marlaska.
Po ashtu, DGST-ja përdori Pegasus për të përgjuar pjesëtarë të Guardia Civil spanjolle, të cilët kishin udhëtuar në Marok për të ndarë ekspertizë në luftën kundër terrorizmit.
Megjithëse Policia Kombëtare e Spanjës zakonisht merr masa shtesë sigurie gjatë udhëtimeve në Marok, oficerët e Guardia Civil nuk menduan se ishte e nevojshme të merrnin masa të veçanta, pasi Marokun e konsideronin aleat.
“Nuk e bëmë këtë sepse nuk dyshonim se do të na spiunonin,” deklaroi një zyrtar i lartë i Guardia Civil për konsorciumin hetues.
Përdorimi i Pegasus u ndërpre pas vitit 2021
Sipas hetimit, nuk janë gjetur gjurmë të përdorimit të Pegasus nga inteligjenca marokene pas fundit të vitit 2021.
Kjo përkon me periudhën kur Shtetet e Bashkuara e futën NSO Group në listën e zezë të kompanive të sanksionuara. Sipas raportimeve, kjo bëri që ministri i atëhershëm izraelit i Mbrojtjes të ndalonte eksportin e teknologjisë kibernetike izraelite drejt disa vendeve, përfshirë Marokun dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.



