
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka shprehur krenarinë e tij për numrin e madh të futbollistëve të lidhur me klubin katalanas që do të jenë pjesë e finales së Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës.
Në prag të sfidës së madhe në “MetLife Stadium”, Laporta veçoi Lionel Messin dhe Lamine Yamalin, duke i cilësuar si dy simbole të suksesit të akademisë së Barcelonës.
“Messi ka arritur sërish në finale dhe kjo më bën shumë të lumtur. Ai është një krenari e La Masias. Messi është e kaluara dhe e tashmja, ndërsa Lamine është e tashmja dhe e ardhmja,” tha Laporta për “RAC1”.
Kreu i Barcelonës theksoi se ndihet krenar që klubi ka zhvilluar lojtarë të tillë, duke përmendur edhe emra si Joan Garcia, Eric Garcia, Pau Cubarsí, Dani Olmo, Gavi, Pedri dhe Ferran Torres, të cilët po përfaqësojnë Spanjën në nivelin më të lartë.
“Si president, jam krenar që kemi formuar këta lojtarë. Cubarsi po zhvillon një Botëror spektakolar dhe është kënaqësi të shohësh kaq shumë futbollistë të lidhur me Barcelonën në finalen më të madhe,” u shpreh ai.
Laporta analizoi edhe përballjen mes dy finalistëve, duke vlerësuar se Spanja dhe Argjentina përfaqësojnë stile të ndryshme loje.
“Kjo është ndeshja më e mirë që mund të luhet në nivel kombëtaresh. Argjentina është më agresive, ndërsa Spanja luan më e organizuar dhe me një stil që i ngjan Barcelonës. Për mua, futbolli i Barcelonës është më i miri dhe kjo njihet nga të gjithë,” përfundoi presidenti i klubit katalanas.



