LajmeRajonTopLajm

Deklarata skandaloze për spastrimin etnik të Kosovës/ Ministrja serbe refuzon dorëheqjen dhe kërkon të justifikohet: Duhej të kisha përdorur termin “deportim”

Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snežana Paunoviç, ka deklaruar se një pjesë prej shtatë sekondash e një interviste të saj për televizionin Kurir është “nxjerrë jashtë kontekstit me qëllim të keq” për ta akuzuar atë për mbështetje të spastrimit etnik.

Deklarata e ministres shkaktoi reagime të shumta pasi, në një intervistë të transmetuar në Kurir TV fundjavën e kaluar, ajo tha se nëse do të kishte qenë në vendin e ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç në vitin 1998, do të kishte “pastruar etnikisht Kosovën”.

“Kur nxjerr shtatë sekonda nga një emision i tërë, mund të bësh pikërisht atë që bënë ata”, deklaroi ajo për televizionin serb Prva, duke pretenduar se deklarata e saj u përdor për qëllime politike.

Ajo pranoi se përdorimi i termit “spastrim etnik” mund të ishte shmangur.

“Po, ndoshta do të kisha përdorur termin deportim, vetëm për të shmangur kryqëzimin nga të dyja palët”, tha Paunoviç, duke shtuar se ajo i referohej, sipas saj, largimit të personave që nuk respektojnë ligjet dhe jo eliminimit fizik të askujt.

Duke shpjeguar deklaratën e saj, ministrja tha se sipas saj Millosheviçi duhej të kishte vepruar duke larguar personat që nuk respektonin Kushtetutën dhe ligjet e atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë, ndërsa për personat që ajo i cilësoi si “terroristë” duhej të vepronin forcat zyrtare të sigurisë.

Paunoviç kritikoi gjithashtu nismën e 53 deputetëve të opozitës në Parlamentin serb, të cilët kërkuan shkarkimin e saj nga posti i ministres.

Ajo akuzoi disa politikanë dhe media në Serbi se po e përdorin çështjen për përfitime politike dhe pretendoi se reagimet e tyre kishin marrë mbështetje nga Kosova.

Ministrja kritikoi edhe ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili i ka ndaluar hyrjen në Kosovë, duke e akuzuar atë për të kaluarën e tij gjatë luftës në Kosovë. Sveçla i ka mohuar dhe ka kundërshtuar vazhdimisht pretendime të tilla.

Duke folur për kërkesat për dorëheqjen e saj, Paunoviç tha se do të largohej nga posti nëse shumica e qytetarëve serbë do ta konsideronin deklaratën e saj problem për vendin.

“Nëse shumica e Serbisë e kërkon këtë, nuk do të kem problem të tërhiqem”, deklaroi ajo.

Related Articles

Back to top button
Close
Close