LajmeMaqedoni

Profesor Xheladini denoncon ndalimin në kufi: Më mbajtën 30 minuta pa asnjë shpjegim, kjo është cenim i dinjitetit qytetar

Profesori nga Kumanova dhe ish-kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë për Kumanovë dhe Likovë, Etem Xheladini, ka reaguar publikisht pasi, sipas tij, u ndal për rreth 30 minuta pa asnjë shpjegim në pikën kufitare Bellanoc–Stançiq, duke e cilësuar trajtimin si poshtërues dhe në kundërshtim me parimet e shtetit ligjor.

Në reagimin e tij, Xheladini bën të ditur se ngjarja ka ndodhur më 16 korrik, fillimisht gjatë daljes nga vendi në orën 14:47 dhe më pas edhe gjatë kthimit në orën 20:17.

Për rreth 30 minuta u mbajta i ndaluar, pa asnjë shpjegim, pa asnjë vendim dhe pa asnjë arsye ligjore. Kjo nuk është hera e parë që përballem me një situatë të tillë“, shprehet ai.

Sipas Xheladinit, prej më shumë se një viti ai është subjekt i ndalesave të përsëritura në pikat kufitare, ndonëse, siç thotë, vetëm një muaj më parë në pikën kufitare Qafë Thanë zyrtarët policorë i kishin konfirmuar se ishte liruar nga çdo masë përcjelljeje.

Megjithatë, sot u përballa sërish me të njëjtin trajtim. Në moshën 71-vjeçare, të mbahem i ndaluar bashkë me bashkudhëtarët e mi, pa asnjë arsye, është një përjetim i rëndë dhe fyes për dinjitetin njerëzor“, thekson ai.

Profesori sqaron se nuk ka ankesa ndaj policëve kufitarë, duke vlerësuar se ata kanë vepruar në mënyrë profesionale, ndërsa përgjegjësinë e sheh te sistemi.

Policët kufitarë, të cilët kryenin detyrën e tyre, u sollën në mënyrë korrekte dhe profesionale. Problemi nuk qëndron te ata, por te një sistem që vazhdon të prodhojë padrejtësi pa transparencë dhe pa përgjegjësi“, deklaron Xheladini.

Në reagimin e tij ai rikujton kontributin shumëvjeçar në arsimin shqip. Ai thotë se për 42 vjet ia ka kushtuar jetën arsimit, duke qenë ndër kontribuuesit për hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe në Gjimnazin e Kumanovës në vitin 1991, si ushtrues detyre i drejtorit, si dhe për hapjen e paraleleve në shkollat e mesme të Ekonomisë, Teknikës, Mjekësisë dhe Bujqësisë gjatë viteve 1993–1995.

Po ashtu, ai thekson se në vitin 2008, si koordinator dhe kryetar i SHASH-it “Naim Frashëri” për Kumanovë dhe Likovë, ka koordinuar hapjen e Fakultetit “AB” në Kumanovë.

Përveç angazhimit tim në arsim, kam qenë dhe vazhdoj të jem pjesë e aktiviteteve humanitare. Edhe sot, si pensionist, prej më shumë se gjashtë vitesh kontribuoj, sipas mundësive të mia, në organizatën humanitare El-Hilal“, shprehet ai.

Xheladini ngre pyetjen se si një person me një angazhim të gjatë në arsim dhe humanizëm mund të trajtohet si rrezik për shtetin.

Si është e mundur që një mësimdhënës, një veprimtar i arsimit dhe një humanist, i cili për 71 vjet nuk ka qenë asnjëherë i dënuar për kriminalitet, korrupsion apo çfarëdo vepre penale, të trajtohet si rrezik për shtetin“, pyet ai.

Sipas tij, rasti nuk është vetëm një problem personal, por një çështje që prek dinjitetin e qytetarëve, respektimin e të drejtave themelore dhe funksionimin e shtetit ligjor.

Në fund të reagimit, profesori u bën thirrje përfaqësuesve politikë shqiptarë që të mos heshtin dhe të kërkojnë përgjegjësi institucionale për raste të tilla.

Nuk është e pranueshme që qytetarët shqiptarë të përballen me ndalesa të përsëritura, pa vendime, pa shpjegime dhe pa asnjë bazë ligjore. Mbi një vit zvarritje dhe vonesa në kufi nuk janë thjesht një shqetësim administrativ; ato janë cenim i dinjitetit njerëzor dhe i lirisë së lëvizjes. Unë nuk kërkoj privilegje, kërkoj vetëm atë që i takon çdo qytetari në një shtet demokratik: respektimin e ligjit, transparencën, dinjitetin dhe trajtim të barabartë“, përfundon reagimi i Etem Xheladinit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close