
Kufiri mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nuk është vetëm vijë ndarëse, por edhe një urë bashkëpunimi ekonomik që prej vitesh lidh qytetarët e të dy vendeve. Dibra, si qytet kufitar, vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në shkëmbimet tregtare dhe ekonomike me zonat përreth në Shqipëri. Çdo ditë, e sidomos gjatë sezonit veror, qyteti vizitohet nga qindra qytetarë shqiptarë, të cilët me blerjet dhe aktivitetin e tyre ndikojnë drejtpërdrejt në gjallërimin e ekonomisë lokale. Këtë e dëshmon edhe fluksi i madh i udhëtarëve në vendkalimet kufitare “Bllatë” dhe “Xhepisht-Trebisht”, të cilat lidhin Dibrën me zonat kufitare të Shqipërisë.
Banorët e viseve kufitare shqiptare, por edhe të qyteteve më të largëta, janë vizitorë të rregullt të Dibrës. Ata frekuentojnë marketet, dyqanet, butikët, lokalet, restorantet dhe bizneset e ndryshme, ku blejnë produkte ushqimore, veshmbathje, pajisje shtëpiake, stoli ari, karburant dhe mallra të tjera. Krahas blerjeve, ata kalojnë kohë në restorantet dhe lokalet e qytetit, ku shijojnë drekat dhe darkat me familjarë e miq. Kjo lëvizje e vazhdueshme reflektohet pozitivisht në ekonominë lokale, ndërsa tregtarët dibranë thonë se ardhja e tyre rrit ndjeshëm qarkullimin dhe gjallëron aktivitetin ekonomik të qytetit.
Fluksi i vizitorëve është veçanërisht i madh të shtunave, kur në Dibër organizohet dita tradicionale e pazarit. Përveç banorëve të Dibrës, në treg furnizohen edhe qytetarë nga komunat Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë, por gjatë dekadës së fundit është shtuar dukshëm edhe numri i blerësve nga Shqipëria. Ata vijnë kryesisht nga Maqellara, Bllata, Allajbegia, Shupenza, Vojnika dhe fshatra të tjerë kufitarë, ndërsa nuk mungojnë as vizitorët nga Peshkopia. “Duke pasur parasysh se në Dibër çmimet janë më të favorshme, pothuajse çdo të shtunë vij për të bërë pazarin,” thotë Arlind I. nga fshati Pocest i Shqipërisë. Ai shton se, përveç vizitave te të afërmit, çdo fundjavë shfrytëzon rastin për të blerë produkte të freskëta ushqimore në tregun e qytetit.
Nga ana tjetër, shumë banorë nga Shqipëria sjellin në tregun e Dibrës prodhime të freskëta bujqësore, si fruta, perime, fasule, patate dhe produkte të tjera tradicionale, të cilat dallohen për cilësinë dhe freskinë e tyre. Kjo krijon një shkëmbim të dobishëm ekonomik, nga i cili përfitojnë si shitësit, ashtu edhe konsumatorët. Amije P., të cilën e takuam në tregun e Dibrës, shet gjalpë shtëpie, vezë dhe pula fshati. Ajo tregon se prej përfundimit të pandemisë vjen çdo javë për të shitur produktet e saj. “Jam shumë e kënaqur me shitjen në Dibër dhe me besimin që më japin klientët. Kam krijuar klientelën time të rregullt, të cilët çdo javë më porosisin gjalpë, vezë dhe pula fshati. Porositë po shtohen vazhdimisht”, thotë ajo. Përveç saj, në tregun e qytetit mund të takosh edhe shumë shitës të tjerë nga Shqipëria, të cilët ofrojnë manaferra, fruta pylli, pemë, perime të stinës dhe produkte të tjera vendase.
Ndërkohë, biznesmenët dibranë thonë se të shtunave shënojnë rritje të konsiderueshme të shitjes edhe në sektorë të tjerë, si pajisjet elektroshtëpiake, frigoriferët, televizorët dhe teknika të ndryshme shtëpiake Sipas tyre, bashkëpunimi ndërkufitar është forcuar dukshëm gjatë viteve të fundit dhe lëvizja e lirë e qytetarëve ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e ekonomisë lokale. Ata besojnë se lehtësimi i mëtejshëm i procedurave kufitare do ta rrisë edhe më shumë këtë bashkëpunim dhe shkëmbimin ekonomik mes dy vendeve.
Banorët e Dibrës vlerësojnë se këto marrëdhënie ekonomike janë në interes të përbashkët të të dy vendeve dhe dëshmojnë se kufijtë administrativë nuk i ndajnë njerëzit. Përkundrazi, tregtia, bashkëpunimi dhe interesat ekonomike i afrojnë edhe më shumë komunitetet në të dy anët e kufirit, duke e bërë Dibrën një nga shembujt më të mirë të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit ndërkufitar.



