LajmeMaqedoniTopLajm

Davkova: Data kyçe për zgjerimin e BE‑së është 30 shtatori

Presidentja Gordana Siljanovska‑Davkova deklaroi se 30 shtatori është datë kyçe për të ardhmen e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, kur Komisioni Evropian pritet të publikojë raportin për qasjen e re ndaj zgjerimit.

Në intervistën për televizionin “Kanal 5”, Siljanovska‑Davkova theksoi se më 30 shtator Komisioni Evropian do ta prezantojë për herë të parë modelin sipas të cilit do të zhvillohet faza e ardhshme e zgjerimit, ndërsa në tetor për të njëjtat çështje do të diskutojë edhe Këshilli Evropian.

Ajo shtoi:

“Këto janë momentet që për ne janë të rëndësishme, për të procesuar hapat që megjithatë janë të mundshëm dhe po dakordohen.”

Marrëdhëniet me Bullgarinë

Duke iu referuar kontakteve të fundit me presidentin bullgar Rumen Radev, Siljanovska‑Davkova tha se sheh hapësirë për intensifikimin e dialogut dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta.

“Përfundimi është se duhet shumë përpjekje, shumë vullnet i mirë që të ecim përpara. Duhet të investojmë së bashku që të arrijmë një zgjidhje.”

Ajo vuri në dukje se Bullgaria, në çështjet e politikës së jashtme, vepron në mënyrë të unifikuar, pavarësisht dallimeve të brendshme politike.

“Ne jemi një fenomen interesant, ndryshe nga Bullgaria, e cila kudo vepron njëzëri, madje edhe kur nuk ka të drejtë.”

Procesi i integrimit evropian

Presidentja theksoi se ndryshimet kushtetuese, të vetme, nuk garantojnë se nuk do të shfaqen pengesa të reja në rrugën drejt BE‑së.

Sipas saj, burimi i mundshëm i bllokadave të ardhshme është Protokolli i Dytë mes Shkupit dhe Sofjes, dispozitat e të cilit janë pjesë e kornizës negociuese dhe të konkluzioneve të BE‑së.

“Rruga sigurisht do të hapet për një moment, por më pas sërish do të shfaqet një pengesë e re. Duhet të anuloni burimin e pengesave, e ai është Protokolli 2.”

Ajo përsëriti se Maqedonia e Veriut mbështet një zgjidhje që do të parandalonte bilateralizimin e procesit të integrimit evropian dhe vlerësoi se BE‑ja ka mekanizma për të shmangur bllokadat që bazohen në çështje identitare.

Në intervistë, Siljanovska‑Davkova theksoi se askush nuk mund të garantojë se në të ardhmen nuk do të ketë veto të re nga ndonjë shtet anëtar, por se BE‑ja mund të vendosë rregulla sipas të cilave integrimi evropian nuk do të pengohet për çështje që nuk lidhen me kriteret e anëtarësimit.

Ajo nënvizoi se vendi mbetet i përkushtuar ndaj agjendës reformuese dhe është i gatshëm të ndjekë ritmin e shteteve që avancojnë më shpejt drejt anëtarësimit në BE.

Related Articles

Back to top button
Close
Close