LajmeRajon

Kandiq: Ideologjia e spastrimit etnik nuk është braktisur

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiqi, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën. Kandiq, përmes një postimi në rrjetin social X, theksoi fillimisht se ministrja Paunoviq është nga Peja.

“Ajo e di shumë mirë se më 27 mars 1999, policia serbe dëboi pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare nga Peja. Njerëzit u larguan në këmbë në kolona drejt Malit të Zi, ndërsa me autobusë u deportuan në Shqipëri. Ajo i njeh gjithashtu krimet në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, ku civilët u vranë dhe trupat e tyre u dogjën. Ajo i di të gjitha këto, por megjithatë e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që ai nuk u zbatua në vitin 1998”, ka shkruar Kandiqi.

Ajo shtoi se deklaratën e Paunoviqit nuk e sheh si një qëndrim për të kaluarën, por si një mesazh se ajo ideologji nuk është braktisur. Më herët, pasi Qeveria e Kosovës ia ndaloi përgjithmonë hyrjen në Kosovë dhe e shpalli person “non-grata”, Kandiqi e cilësoi këtë si një vendim të drejtë.

Ajo kërkoi gjithashtu që shërbimet financiare të Qeverisë së Serbisë të verifikojnë dhe të informojnë publikun nëse ministrja Paunoviq ka marrë kompensime për shpenzime të pretenduara të udhëtimit nga Peja në Beograd dhe anasjelltas. Nëse rezulton se ka përfituar mjete të tilla, sipas Kandiqit, duhet të bëhet publike shuma e marrë nga buxheti dhe ajo të mbahet penalisht përgjegjëse.

Related Articles

Back to top button
Close
Close