LajmeMaqedoniRajon

Snezhana Paunoviq dhe një ilustrim se pse Maqedonia e Veriut nuk guxon ta varë rrugën e saj drejt BE-së nga Serbia

Nga Ivon Veliçkovski

Mediat në gjuhën maqedonase e trajtuan relativisht sipërfaqësisht deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq se “gjatë luftës do të kisha zbatuar spastrim etnik në Kosovë”. Për to më shumë vëmendje tërhoqi fakti që ajo u shpall person i padëshiruar në Kosovë sesa vetë deklarata. Siç pritej.

Ndërkohë, në Serbi, vetëm pasi reaguan studentët dhe zyrtarët evropianë, Vuçiqi e cilësoi deklaratën e saj si “të pamenduar”, ndërsa Daçiq u përpoq ta relativizonte.

“Normalisht”, mediat në gjuhën maqedonase e lanë në hije deklaratën e Paunoviqit me thirrjen e Vuçiqit për pranimin e përbashkët të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian: “Nëse hyjmë së bashku, nuk do të ketë kufij mes Beogradit, Prishtinës dhe të gjithë të tjerëve.”

Por askush nuk kujtoi se:

  • pavarësia e Kosovës garanton që dëshira e Paunoviqit nuk mund të realizohet – dhe pikërisht për këtë arsye njohja e ndërsjellë është kusht për Serbinë;
  • Srebrenica ndodhi kur Serbia kërkonte t’i “zgjeronte” kufijtë e saj;
  • Serbia vazhdon të shmangë përballjen me rolin dhe përgjegjësinë e saj për periudhën pas vitit 1986.

Funksionarët tanë shtetërorë dhe partiakë, si në shumicën parlamentare ashtu edhe në “opozitë”, së bashku po e bllokojnë integrimin evropian të shtetit dhe kombit të Maqedonisë së Veriut.

Përmes kësaj vetëbllokade, ata po e vendosin shtetin, kombin dhe popullin maqedonas në pozitën e mbështetësit të narrativës katërdekadëshe të Serbisë pas Stamboliqit dhe të idesë së saj për supremaci mbi Ballkanin.

Në fakt, në këtë frymë supremacie ishte edhe deklarata e Paunoviqit, si dhe letra e hapur e Vuçiqit drejtuar liderëve evropianë para disa muajsh dhe thirrja e tij e cituar dje.

Prandaj, Mickoski, Filipçe, Apasiev dhe asnjë prej partnerëve të tyre të koalicionit në qeveri apo në “opozitën” parlamentare nuk guxon të thotë se:

  • Maqedonia e Veriut i përket valës së zgjerimit të BE-së së bashku me Malin e Zi dhe Shqipërinë;
  • me një metodologji që na përshtatet dhe na mundëson t’i përfundojmë negociatat më shpejt se Serbia;
  • ne nuk kemi çështje të hapura me fqinjët, ndryshe nga Serbia, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina;
  • logjika e Paunoviqit paralajmëron një kërcënim për sigurinë rajonale, ndërsa pjesëmarrja e saj në qeverinë serbe e legjitimon atë si politikë zyrtare.

E sa për amendamentet kushtetuese për zhbllokimin e negociatave me Bashkimin Evropian, ata nuk guxojnë as të mendojnë për to.

Related Articles

Back to top button
Close
Close