
Ka përfunduar pa dënim edhe rasti gjyqësor “Total”, në të cilin ishte i akuzuar gazetari Dragan Pavloviq Latas, pasi Prokuroria hoqi dorë nga aktakuza njofton INA.
Nga Gjykata Penale njoftuan se në lëndën me numër K.br. 1493/17, e njohur në opinion si “Total”, e cila fillimisht ishte ngritur nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP), ndërsa më pas u mor në kompetencë nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, më 27 maj 2026 është marrë aktgjykim me të cilin aktakuza është refuzuar, pasi prokurori kompetent hoqi dorë tërësisht nga ndjekja penale.
Sipas Gjykatës, procedura, e cila zhvillohej që nga tetori i vitit 2017, përfshinte si të akuzuar Dragan Pavloviq Latas si person fizik, si dhe tri persona juridikë nga Shkupi, të dyshuar për veprën penale evazion fiskal.
Rasti ishte kthyer disa herë në rigjykim për shkak të ndryshimit të kompetencës së prokurorëve dhe kalimit të lëndës nga një prokurori në tjetrën. Në seancën e fundit, gjatë fjalës përfundimtare, prokurori publik vendosi të tërhiqej nga ndjekja penale ndaj të gjithë të akuzuarve.
Sipas sqarimit të Gjykatës, pas analizimit të ekspertizës financiare, prokurori fillimisht bëri ndryshime në aktakuzë dhe më pas konstatoi se për dy nga personat juridikë nuk ishin plotësuar elementet ligjore të veprës penale të evazionit fiskal. Ndërkohë, për personin e tretë juridik dhe për Dragan Pavloviq Latas kishte hyrë në fuqi parashkrimi absolut i ndjekjes penale, duke e bërë të pamundur vazhdimin e procedurës.
Për këtë arsye, Gjykata vendosi të refuzojë aktakuzën, në përputhje me dispozitat ligjore.
Aktgjykimi i datës 25 qershor 2026 është i formës së prerë. Nga Gjykata Penale bëjnë të ditur se janë përgatitur edhe vendimet për shpenzimet procedurale, ndërsa aktgjykimi do të publikohet në faqen zyrtare të gjykatës pasi të anonimizohen të dhënat personale.
Rasti “Total” kishte të bënte me akuzat ndaj gazetarit Dragan Pavloviq Latas për evazion fiskal në periudhën 2008–2015, përmes kompanive “Total Marketing” dhe “Total Media Center”. Lënda ishte hapur nga ish-Prokuroria Speciale Publike (PSP).



