
Nga arsimi te kërkimi shkencor dhe marrëdhëniet me jashtë, Brukseli rendit një sërë detyrash që Shqipëria duhet të vazhdojë të përmbushë deri në anëtarësim
Mbyllja provizore e tre kapitujve të parë në Konferencën e 11-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian shënon hyrjen e Shqipërisë në fazën finale të negociatave për anëtarësim. Krahas këtij hapi politik, Brukseli ka bërë publike edhe dokumentet që shoqërojnë vendimin, ku vlerëson progresin e arritur nga Shqipëria, por edhe rendit reformat dhe angazhimet që duhet të vijojnë deri në ditën e anëtarësimit.
Në kapitullin për shkencën dhe kërkimin, BE-ja vlerëson rritjen e investimeve publike në këtë sektor dhe pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin Horizon Europe. Megjithatë, Brukseli kërkon që financimi për kërkimin shkencor të vazhdojë të rritet deri në nivelin 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030, si edhe fondet e parashikuara të zbatohen realisht dhe të mos mbeten vetëm në letër. BE kërkon gjithashtu më shumë bashkëpunim mes universiteteve dhe sektorit privat, zbatimin e strategjive të inovacionit dhe forcimin e masave kundër korrupsionit në fushën e kërkimit shkencor.
Për kapitullin e arsimit dhe kulturës, Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë të rrisë shpenzimet publike për arsimin, pasi ato mbeten nën mesataren e Bashkimit Evropian. Dokumenti nënvizon nevojën për përmirësimin e aftësive bazë të nxënësve, zgjerimin e arsimit gjithëpërfshirës, përfshirë për komunitetet pakicë, si edhe garantimin e teksteve shkollore në gjuhët e minoriteteve. Në arsimin e lartë, Shqipëria duhet të vijojë zbatimin e Procesit të Bolonjës dhe të afrojë universitetet me standardet evropiane. Ndërkohë, në arsimin profesional, BE kërkon lidhje më të forta me tregun e punës, zgjerim të praktikave profesionale dhe më shumë mundësi trajnimi për të rriturit. Një tjetër pikë ku Brukseli ndalet është lufta kundër korrupsionit në sistemin arsimor, duke kërkuar që emërimet e drejtuesve të shkollave dhe institucioneve arsimore të bazohen në meritë dhe të jenë të mbrojtura nga ndikimi politik.
Në kapitullin për marrëdhëniet me jashtë, Bashkimi Evropian kërkon që deri në anëtarësim Shqipëria të harmonizojë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare me legjislacionin evropian. Kjo përfshin marrëveshjet tregtare, ato për investimet dhe bashkëpunimin ekonomik me vende të treta. Brukseli vlerëson faktin që Shqipëria ka përgatitur një plan veprimi dhe një inventar të plotë të këtyre marrëveshjeve, ndërsa kërkon koordinim të vazhdueshëm me Komisionin Evropian gjatë periudhës së para-anëtarësimit. Dokumenti ndalet edhe te kontrolli i investimeve të huaja strategjike, eksporti i produkteve me përdorim të dyfishtë civil dhe ushtarak, lufta kundër korrupsionit në marrëdhëniet me jashtë dhe rritja e kapaciteteve administrative për zbatimin e rregullave të Bashkimit Evropian.
Megjithëse këta tre kapituj janë mbyllur provizorisht, Bashkimi Evropian thekson se monitorimi do të vazhdojë deri në përfundimin e të gjitha negociatave. Çdo zhvillim i ri në legjislacionin evropian ose mungesë në zbatimin e reformave mund të rikthejë këto çështje në tryezën e negociatave.



