LajmeMaqedoni

Dita e fundit për marrëveshje për Kodin Zgjedhor,a do të shpëtojnë 4 milionë eurot e BE-së!?

Kanë mbetur vetëm edhe pak orë deri në skadimin e afatit për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor, me të cilin Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë pikën e dhjetë të Agjendës Reformuese dhe të sigurojë fondet e parapara nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, kryeministri Hristijan Mickoski nuk shpreh optimizëm se ligji do të miratohet në kohë, duke e akuzuar opozitën për papërgjegjësi dhe mungesë pjekurie politike. Mickoski tha se koalicioni qeveritar mbetet në qëndrimin se do të pranojë çdo propozim të opozitës, me kusht që në ligj të përfshihet votimi i diasporës.

 

HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

 

“Ne, si koalicion qeveritar, e harmonizuam qëndrimin tonë dhe ua thamë qartë: merruni vesh, hartojeni dhe miratojeni ligjin. Për sa kohë që në të përfshihet votimi i diasporës, ne do ta mbështesim pa asnjë rezervë. Kaluan ditë të tëra duke u zvarritur me diskutime se kush do ta thërrasë takimin dhe ku do të mbahet ai. Sot i ftoj për pjekuri dhe përgjegjësi kryetarët e BDI-së, LSDM-së, Levicës, si dhe krahët e Selës dhe Taravarit, që si parti opozitare të ulen së bashku, të bien dakord dhe ta miratojnë një ligj që përfshin edhe votimin e diasporës. Në momentin që ata të thonë se gjithçka është përfunduar, ne do ta pranojmë pa polemizuar fare. Nuk e di se çfarë më konkrete mund të bëjë Qeveria”.

dryshe nga kryeministri, nga opozitarja LSDM vlerësojnë se pretendimet e Qeverisë se mosmiratimi i Kodit Zgjedhor do ta bllokojë rrugën evropiane të vendit janë manipulim i qëllimshëm. Sipas tyre, Bashkimi Evropian nuk kërkon ndryshime në Kodin Zgjedhor sipas interesave të një partie politike, por zgjedhje të besueshme, të lira dhe transparente, gjyqësor të pavarur dhe luftë efektive kundër korrupsionit.

LSDM

“Edhe pse përmirësimi i legjislacionit zgjedhor është pjesë e agjendës më të gjerë reformuese, zgjidhjet konkrete që pushteti po i shtyn aktualisht nuk janë detyrim ndaj Bashkimit Evropian dhe as nuk përbëjnë kusht për përparimin e procesit negociues. Këto janë propozime të tyre, e jo evropiane. Këto janë zgjidhje që hapin hapësirë për manipulime dhe kontroll të procesit zgjedhor, veçanërisht në pjesën e votimit të diasporës”.

Kujtojmë se LSDM dhe Levica janë kundër miratimin të Kodit Zgjedhor, madje ata kanë paralajmëruar se do ta bllokojmë me mijëra amendamente. Ndërkohë edhe kryetarja Partisë Liberale Demokratike, Monika Zajkova ka dalë kundër. Ajo thotë se propozimi për votim elektronik për diasporën, por jo edhe për qytetarët që jetojnë këtu, është skizofreni politike.

Në rast se Kodi Zgjedhor nuk miratohet deri në orën 00:00, vendi rrezikon të humbasë katër milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, pasi nuk do të përmbushë afatin për pikën e dhjetë të Agjendës Reformuese.

Related Articles

Back to top button
Close
Close