
Komanda e Brigadës së Evropës Juglindore ka përfunduar misionin gjashtëvjeçar në Maqedoninë e Veriut dhe, sipas rotacionit, aktivitetet do t’i vazhdojë në Stamboll të Turqisë. Në kazermën “Boro Menkov” në Kumanovë u mbajt ceremonia zyrtare e përmbylljes së misionit, ku ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, vlerësoi rolin e Komandës në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe sigurisë ndërkombëtare.
Sipas tij, gjatë këtyre gjashtë viteve Maqedonia e Veriut dëshmoi se është një partner i besueshëm dhe aktiv në fushën e mbrojtjes, ndërsa prania e Komandës në vend kontribuoi në zhvillimin e marrëdhënieve me vendet pjesëmarrëse. Ai e cilësoi Komandën e Brigadës së Evropës Juglindore si një nga shembujt më të suksesshëm të bashkëpunimit rajonal në mbrojtje, të bazuar në besim, partneritet dhe përgjegjësi të përbashkët për paqen dhe stabilitetin.



