
Dita e fundit për Kodin Zgjedhor, por partitë nuk i afruan qëndrimet e tyre as edhe një milimetër. Kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur nëse është e mundur që zgjidhja ligjore të miratohet në momentin e fundit dhe me këtë të përmbushet obligimi nga Agjenda e Reformave, tha se nuk është optimist, ndërsa fajin ia hodhi opozitës.
“Nuk jam optimist sepse kemi punë me politikanë të papërgjegjshëm dhe të papjekur në opozitë. Sot i ftoj për pjekuri, për përgjegjësi, edhe kryetarët e Bashkimit Demokratik për Integrim, LSDM-së, Levicës, krahëve të Ziadin Selës, të Arben Taravarit, që të ulen së bashku si parti opozitare, të merren vesh dhe le të sjellin ligj në të cilin do të përfshihet votimi i diasporës. Ja, ne, kur ata do të konsiderojnë se ka përfunduar, kur ta miratojnë, ne do ta pranojmë”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryeministër.
Nuk ka paralajmërime për ndonjë marrëveshje apo lëvizje të mundshme para skadimit të afatit nga partitë opozitare. Dje, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se për të, kërkesa e pushtetit për votimin e diasporës është një përpjekje për vjedhje zgjedhore. Sot, përmes një komunikate, nga partia akuzuan se pushteti po manipulon me pretendimin se Kodi Zgjedhor është kusht për përparimin drejt Bashkimit Evropian.
“Teza se bllokada e Kodit Zgjedhor e pengon Maqedoninë të përparojë drejt BE-së është një manipulim i vetëdijshëm. Bashkimi Evropian nuk kërkon ndryshim të Kodit Zgjedhor sipas masës së një partie. BE kërkon zgjedhje kredibile, të drejta dhe transparente, gjyqësor të pavarur dhe luftë kundër korrupsionit. Edhe pse përmirësimi i legjislacionit zgjedhor është pjesë e agjendës më të gjerë të reformave, zgjidhjet konkrete që aktualisht po i shtyn pushteti nuk janë obligim ndaj Bashkimit Evropian”, thonë nga LSDM.
Mickoski, lidhur me këto vërejtje, tha se edhe eurokomisionerja Marta Kos ka konfirmuar se kjo është pjesë e reformave të rëndësishme për integrimin evropian të vendit.
Nga Levica akuzuan se LSDM ka një marrëveshje të fshehtë me Mickoskin dhe se për këtë arsye nuk lejuan bashkimin e opozitës për një njësi zgjedhore.
“LSDM mbeti fuqishëm në marrëveshjen e fshehtë me VMRO-DPMNE-në që Kodi Zgjedhor të mbetet i pandryshuar, si një marrëveshje operative mes aktorëve të rendit të vjetër, me qëllim që ky model të mbijetojë, sepse pikërisht ky model i ushqen ata dhe shkon në dëm të Levicës”, thonë nga Levica.
Kodi Zgjedhor mbeti i bllokuar nga opozita, pavarësisht se dje euroambasadori Mihalis Rokas shprehu optimizëm se ligji mund të miratohet dhe u bëri thirrje partive që të arrijnë konsensus për këtë çështje.


