
Jam i kënaqur nga dinamika e deritanishme për ndërtimin e rrugës ndërshtetërore nga Tetova deri në Prizren, ndërsa në fazën e ardhshme do të shkojmë në financim, theksoi ministri i Transportit dhe zëvendëskryeministër, Aleksandar NIkolloski në përgjigjen e pyetjes së parashtruar nga deputetja Rina Ajdari, në lidhje me paralajmërimin për ndërtimin e rrugës magjistrale nga Tetova deri në Prizren.
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit, ministri dhe zëvendëskryetari i Qeverisë, Nikolloski, paralajmëroi ndërtimin e një autostrade të re nga Bukojçani deri në Kërçovë dhe do të lidhet me autostradën Ohër – Kërçovë, projekt i cili, siç tha NIkolloski, mori të a.q. „no objection“ nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Dinamika e rrugës ndërshtetërore midis Tetovës dhe Prizrenit, një nga lidhjet midis Maqedonisë dhe Kosovës, po shkon mirë. Një komision ndërdikasterial është formuar në kuadër të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, i cili po punon në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm, të cilin po e përgatit Fakulteti i Ndërtimtarisë. Në pjesën relativisht më të lehtë të projektit, puna është përfunduar, megjithëse projekti është mjaft i ndërlikuar. Tani, janë kërkuar të dhëna nga Fakulteti i Ndërtimtarisë në lidhje me tunelin ndërkufitar sepse ideja është të lidhen dy vendet me një tunel ndërkufitar. Janë kërkuar të dhëna edhe nga Republika e Kosovës sepse tuneli do të fillojë në territorin tonë dhe do të përfundojë në territorin e Republikës së Kosovës, dhe pas marrjes së të dhënave, Fakulteti i Ndërtimtarisë do të fillojë projektimin e zgjidhjes së tunelit. Gjithashtu kemi formuar një komision ndërshtetëror me përfaqësues nga të dy vendet për zhvillimin e këtij projekti. Komisioni përfshin përfaqësues nga Ministria e Transportit, NPRRSH dhe Qeveria e Republikës së Kosovës. Në takimin tim të fundit me ministrin në Selanik, i cili ishte tre javë më parë, diskutuam për këtë projekt të rëndësishëm dhe përcaktuam aktivitete të përbashkëta. Projekti po zhvillohet me ritëm të mirë dhe duhet të dihet se ky është një projekt jashtëzakonisht i ndërlikuar sepse terreni në të dyja anët është i ndërlikuar. Po flasim për Malin e Sharrit dhe duhet të pritet që ky do të jetë një projekt i kushtueshëm”, theksoi ministri dhe zëvendëskryeministri, Aleksandar Nikolloski.
Para deputetëve në Kuvend, NIkolloski përkujtoi se është nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë, ndërsa së shpejti do të promovohet edhe projekti për autostradën nga Bukojçani deri në Kërçovë.
“Dua të them se kemi nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë, dhe shumë shpejt do ta informojmë publikun për një projekt tjetër shumë të madh për të cilin morëm të ashtuquajturin ‘no objection’ nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërtimin e një autostrade tjetër, dhe ajo është autostrada që do të çojë nga Bukojçani në Kërçovë, domethënë një autostradë që duhet të lidhë autostradën Ohër-Kërçovë me autostradën Bukojçan-Gostivar-Tetovë. Ky është një lajm i shkëlqyer për qytetarët”, theksoi ministri i Transportit dhe zëvendëskryeministër Aleksandar Nikolloski në seancën e sotme të pyetjeve të deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë.



