Ariu “hajdut serial” terrorizon një qytet në Japoni, hyn në shtëpi dhe vjedh ushqime nga frigoriferët

Autoritetet japoneze janë vënë në kërkim të një ariu të zi aziatik, i cili dyshohet se ka kryer të paktën 14 hyrje në banesa gjatë dy javëve të fundit në një qytet të vogël në Japoni, duke vjedhur ushqime nga frigoriferët e banorëve.
Rasti më i fundit u regjistrua të hënën në mbrëmje, kur 87-vjeçari Mitsuo Matsubara dëgjoi zhurma në kuzhinën e shtëpisë së tij. Kur shkoi të shihte se çfarë po ndodhte, ai u përball me një ari të madh të zi. I moshuari pa se frigoriferi ishte hapur, ndërsa ushqimet ishin shpërndarë në dysheme. Ai njoftoi menjëherë bashkëshorten, e cila telefonoi policinë. Sipas autoriteteve, ky ishte rasti i 14-të i raportuar në qytetin e Shizuokës brenda vetëm dy javësh, duke ngritur dyshimet se pas të gjitha incidenteve qëndron i njëjti ari.
Për të parandaluar sulme të tjera, autoritetet kanë vendosur kurthe, gardhe elektrike pranë banesave të rrezikuara dhe patrulla të posaçme për të paralajmëruar banorët. “Është e pazakontë që një ari të rikthehet vazhdimisht në të njëjtën zonë. Është e mundur që të jetë e njëjta kafshë dhe duam ta kapim sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi specialistja e faunës së egër, Shiho Chida.
Kamerat e sigurisë kanë regjistruar disa nga lëvizjet e ariut. Në një rast, ai u filmua duke u përpjekur të hapte derën rrëshqitëse të një shtëpie gjatë natës, por u largua pasi pronari filloi t’i bërtiste. Në një tjetër incident, një banor u kthye nga supermarketi dhe gjeti ariun brenda shtëpisë, pranë dhomës ku flinte babai i tij i moshuar. Burri arriti ta trembte kafshën duke përplasur një derë, por më pas iu desh të mbante derën të mbyllur për rreth 30 sekonda, ndërsa ariu tentonte të hynte sërish në banesë.
Një natë më vonë, një grua e gjeti ariun në kuzhinën e saj, ndërsa të dielën kafsha hyri në një pastiçeri dhe vodhi petulla nga frigoriferi. Ekspertët thonë se Japonia ka regjistruar vitet e fundit një rritje të incidenteve me arinjtë. Sipas tyre, tkurrja e popullsisë në zonat rurale dhe zgjerimi i habitatit të kafshëve kanë bërë që arinjtë të humbasin frikën nga njerëzit dhe të futen gjithnjë e më shpesh në zonat e banuara në kërkim të ushqimit.



