
Kosova e ka shpallur persona non grata Snezana Paunoviq, ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen apo kalimin tranzit përmes Kosovës. Vendimi u mor pas deklaratës së Paunoviqit “se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën më 1998”.
Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se gjuha e Paunoviqit është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Ai ka shtuar se një gjuhë e tillë duhet të dënohet ashpër nga të gjitha shtetet.
Sveçla ka shtuar se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës “do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale”.



