LajmeRajon

Spiropali dënon deklaratën e ministres serbe: Barbarizëm verbal që turpëron Serbinë

Ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snežana Paunović, lidhur me luftën në Kosovë, duke e cilësuar atë të papranueshme dhe fyese për viktimat e luftës.

Në reagimin e saj, Spiropali shprehet se është e pabesueshme që një ministre e një vendi që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian të shprehë keqardhje se në Kosovë “nuk u vranë mjaftueshëm fëmijë, gra, burra e të moshuar”.

“Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet. Ky nuk është mendim politik. Ky është barbarizëm verbal”, shkruan Spiropali.

Sipas saj, Europa nuk mund të heshtë përballë një gjuhe të tillë, ndërsa thekson se kush justifikon ose shpreh keqardhje që krimet nuk u kryen në përmasa edhe më të mëdha nuk mund të jetë partner i vlerave europiane dhe duhet të mbajë përgjegjësi politike, institucionale dhe humane.

Spiropali nënvizon se liria e Kosovës nuk iu fal askujt, por u fitua me gjak, duke shtuar se mbrojtja e kujtesës së viktimave është detyrim moral dhe politik për Europën.

Në përfundim, ish-ministrja e Jashtme thekson se, nëse Serbia e ka seriozisht rrugën drejt Bashkimit Europian, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj një retorike të tillë, e cila, sipas saj, jo vetëm e turpëron vendin, por rrezikon edhe bashkëjetesën paqësore me fqinjët./EO

Related Articles

Back to top button
Close
Close