
MBLEDHJA E SOTME E KOMISIONIT PËR EMËRTIMINE RRUGËVE, FARSË NËN PRESIONIN E OPINIONIT DHE DËSHMI E PAZARIT VLEN–VMRO
Mbledhja e sotme e Komisionit për emërtimin e rrugëve dhe shesheve të Tetovës u mbajt sot, vetëm pas presionit të madh publik të krijuar nga abrogimi i emrave të vitit 2007. Në vend të një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, qytetarët panë një farsë me listë të dakorduar paraprakisht në kuzhinat partiake.
Kjo ngre pyetjen kryesore. Kush vendos për emrat e rrugëve dhe sheshit të Tetovës? Qytetarët e Tetovës apo VMRO-ja në ofiçinat e Shkupit?
Refuzimi i emrave si Jusuf Rexhepi, Dervish Cara, Mehmet Pashë Deralla dhe Sheshi ILIRIA dëshmon se historia dhe identiteti i Tetovës janë futur në pazare të fshehta politike. Pse këta emra janë të papranueshëm për marrëveshjen VLEN–VMRO? Çfarë është premtuar dhe kujt?
Edhe emrat e propozuar nga përfaqësuesi i Aleancës për Shqiptarët u refuzuan, ndërsa Levica nuk votoi asnjë emër shqiptar. Kjo tregon se lista nuk u ndërtua mbi meritën historike, por mbi kalkulimin politik dhe kompromisin e arritur paraprakisht.
Dyshimet tona bëhen edhe më të fuqishme. Abrogimi i vendimit të vitit 2007, heshtja e Komunës së Tetovës ndaj kërkesave të Gjykatës Kushtetuese, vonesa prej muajsh e Komisionit dhe lista e dakorduar me VMRO-në duken si episode të të njëjtit skenar të menduar mirë.
A bëhet fjalë për marrëveshje parazgjedhore, ku në këmbim të votave janë sakrifikuar historia, identiteti dhe dinjiteti i Tetovës? Qytetarët le ta gjykojnë vetë.
Kërkuam afat konkret që puna të përfundojë brenda 30 ditësh dhe lista finale të dorëzohet për miratim më së voni në seancën e shtatorit. Nuk do të lejojmë që procesi të zvarritet derisa Bilall Kasami dhe VMRO-ja të përfundojnë pazaret e tyre, apo të afrohen zgjedhjet e rradhës që të pamundësohet sjellja e një vendimi përfundimtar.
Tetova nuk merr instruksione nga Shkupi.
Për Tetovën vendosin tetovarët!



