LajmeRajonTopLajm

Rama pas mbylljes së tre kapitujve të negociatave: Gur kilometrik në rrugën e drejt BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e konsideroi mbylljen e tre kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian si një moment të rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit, në përfundim të Konferencës së 9-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Në konferencën për mediat përkrah komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, Rama tha se ky zhvillim përbën një tjetër “gur kilometrik” në rrugëtimin e pakthyeshëm të vendit drejt anëtarësimit në BE.

“Ky nuk është thjesht një hap, por një vlerësim i qartë që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate dhe që vendi ynë është gjithnjë e më i përgatitur për të marrë përgjegjësitë e anëtarësimit”, u shpreh Rama.

Sipas tij, mbyllja e kapitujve përcjell edhe një mesazh të fortë për procesin e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se rezultatet e Shqipërisë po marrin përgjigjen përkatëse nga Bashkimi Evropian.

“Shqipëria jep rezultate, BE jep rezultate. Shqipëria ecën përpara dhe BE reagon në përputhje me këtë. Ky është thelbi i procesit, një proces i besueshëm dhe i bazuar në meritë nga të dyja anët”, deklaroi kryeministri shqiptar.

Rama theksoi se reformat po afrojnë standardet evropiane me qytetarët shqiptarë dhe provë është fakti se qytetarët i kanë rritur pritshmëritë dhe kërkesat ndaj qeverisë.

“Ne po ndërtojmë Shqipërinë që duam të shohim si anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Provë e kësaj është se qytetarët kërkojnë gjithnjë e më shumë dhe janë gjithnjë e më pak tolerantë ndaj asaj që nuk funksionon”, përfundoi kryeministri Rama.

Related Articles

Back to top button
Close
Close