BotaLajmeRajonTopLajm

Kos për deklaratat e ministres serbe: Mund të ketë zero tolerancë për deklarata të tilla

Komisionerja evropiane për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, ka deklaruar se është tronditur se ka deklarata të tilla si ajo e ministres serbe për spastrim etnik në Kosovë dhe ka shprehur shpresë që ky të mos jetë qëndrimi i qeverisë së Serbisë, por një deklaratë individuale.

Kos u pyet për këtë çështje në një konferencë për media në Bruksel pas mbylljes së dy kapitujve të negociatave të anëtarësimit me Malin e Zi.

“Mund të ketë vetëm zero tolerancë për deklarata të tilla çfarë kemi dëgjuar. Dhe nuk ka vend në Evropë për retorikën që justifikon, avokon apo glorifikon pastrimin etnik. Unë jam personalisht e tronditur se kjo fare duhet të thuhet në këtë situatë. Deklarata e tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat dhe dinjitetin njerëzor, pajtimin e nevojshëm, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat themele është ndërtuar BE-ja e pa të cilat procesi i anëtarësimit nuk mund të ndodhë”, është përgjigjur Kos.

Kos është shprehur se supozon që kjo të jetë vetëm qëndrim personal i një ministreje e jo i qeverisë së Serbisë dhe se këto janë edhe në kundërshtim me obligimet e Serbisë nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve me Kosovën.

“Unë vetëm mund të supozoj se këto janë qëndrime të një ministre dhe nuk paraqesin qëndrimin e qeverisë së Serbisë. Presim nga liderët politikë që të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe të kontribuojnë për ndërtimin e besimit, pajtimit dhe stabilitetit në rajon”, tha Kos.

Lidhur me deklaratat e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila tha se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën”, ka reaguar edhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca.

Ai tha se një ministre e Qeverisë së Serbisë ka bërë thirrje publikisht për spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova.

“Një retorikë e tillë lavdëron krimet e luftës, rrezikon stabilitetin rajonal dhe është tërësisht e papajtueshme me vlerat evropiane dhe me të ardhmen evropiane. Heshtja nuk është një opsion. As reagimet e dobëta. Nivelet më të larta të udhëheqjes së Bashkimit Evropian duhet të reagojnë me një dënim të qartë publik, t’ia kujtojnë Serbisë detyrimet e saj dhe të sigurojnë që një sjellje e tillë të ketë pasoja në procesin e saj të anëtarësimit. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë, një shoqërie shumetnike, pajtimit të bazuar në të vërtetën dhe drejtësinë, si dhe të ardhmes evropiane. Edhe Serbia duhet ta zgjedhë këtë rrugë”, ka shkruar Konjufca në rrjetin social amerikan X.

Related Articles

Back to top button
Close
Close