LajmeRajon

Takimi i NATO-s në Ankara, Maqedonci: Haxhiu u ftua në margjina të Samitit, por u vlerësua se s’duhet të marrë pjesë

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka qenë e ftuar që të jetë pjesë në një takim në margjina të Samitit të NATO-s që u mbajt në Ankara, por thotë se është vlerësuar se s’duhet të marrë pjesë, meqë rajoni e as Kosova s’kanë qenë temë në Samit.

Ai ka sqaruar se ka qenë një aktivitet i Këshillit të Atlantikut për një takim njëditor, derisa si arsye për mospjesëmarrje ka përmendur edhe agjendën e Haxhiut.

“Në margjinat e këtij Samiti vitin e kaluar ishte ftuar ish-presidentja Osmani, sivjet është ftuar ushtruesja e detyrës së presidentit zonja Haxhiu. Ne kemi disutimet të vazhdueshme me znj. Haxhiu për pjesëmarrjen tonë në aktivitete që lidhen me NATO-n, në këtë rast ka qenë agjenda e saj që ia ka pamundësuar. Kjo është një aktivitet nga Këshilli i Atlantikut, ftesa ka qenë për një takim njëditor, në roundtable, dhe vlerësoj se duke mos qenë pjesë e diskutimeve të Samitit, duke qenë vetëm në margjina të saj, është vlerësuar që të mos jetë pjesë ndoshta e atij aktiviteti roundtable. Kosova edhe këtë radhë është ftuar të jetë pjesë e margjinave, por Samiti është i dizajnuar për 32 vendet e NATO-s”, ka thënë Maqedonci për Kosovapress.

Sipas ministrit në detyrë, edhe nëse Kosova ftohet në aktivitete në margjina të Samiteve të NATO-s, duhet vlerësuar nëse janë të rëndësishme ose jo, për të vendosur rreth pjesëmarrjes.

“Në margjina të këtij Samiti, unë besoj se vlerësohet a është e domosdoshme të shkohet apo jo, varësisht prej rëndësisë që e kanë këto takime të tjera”, ka thënë Maqedonci.

Ai tutje duke folur për diskutimin e shumtë që Kosova s’ishte ftuar fare në Ankara, ka thënë se në Samitin kryesor ku marrin pjesë vetëm vendet Aleate, Kosova nuk ftohet meqë s’është fare vend anëtar.

“Kur këto Samite besoj që kanë fokus Ballkanin Perëndimor, Kosova mund edhe të ftohet të jesë pjesë e takimeve, por në asnjë rast si pjesë e Samitit të NATO-s. Në këtë rast në Ankara s’ishte fokus kryesor Ballkani Perëndimor, kanë qenë tema të tjera dhe kjo është arsyeja se pse asnjë vend tjetër jo-anëtar i rajonit nuk është ftuar të jetë pjesë e Samitit”, ka thënë ai.

Lidhur me Samitin e NATO-s që u mbajt në Ankara ka pasur shumë diskutime në Kosovë, meqë në Samitin e kaluar ishte ftuar presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Maqedonci ka theksuar se Osmani s’ka qenë pjesë e Samitit por e aktivitetit të organizuar nga DASH.

Related Articles

Back to top button
Close
Close