LajmeSport

Përplasja e ‘përbindëshave’ të golave, Harry Kane dhe Erling Haaland së bashku 131 gola vetëm këtë sezon

Harry Kane dhe Erling Haaland do të jenë protagonistët kryesorë të sfidës së sotme mes Anglisë dhe Norvegjisë, e vlefshme për çerekfinalet e Botërorit 2026. Përballja do të zhvillohet në orën 23:00, në stadiumin “Hard Rock” të Miamit, por vëmendja kryesore do të jetë te dueli mes dy prej sulmuesve numër 9 më të mirë në futbollin botëror.

Dy ‘bomberët’ kanë zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm dhe së bashku kanë realizuar plot 131 gola nga gushti deri më tani. Erling Haaland në njërën anë dhe Harry Kane në tjetrën kanë qenë makineri golash, si me klubet ashtu edhe me kombëtaret e tyre.

Haaland ka shkëlqyer veçanërisht me fanellën e Norvegjisë. Që nga muaji shtator, sulmuesi i Manchester Cityt ka shënuar 20 gola me kombëtaren, shtatë prej të cilëve në këtë Botëror. Ndërkohë, Kane, falë sezonit fantastik me Bayern Munchen, ka realizuar gjashtë gola në Botëror dhe ka siguruar Këpucën e Artë të Europës.

Shifrat e jashtëzakonshme të Erling Haaland-it

Haaland ka shënuar 112 gola në 132 ndeshje në Premier League. Vetëm këtë sezon ai ka realizuar 27 gola në 35 ndeshje kampionati. Në Champions League ka shënuar tetë gola në 10 takime, ndërsa duke përfshirë edhe kupat kombëtare ka arritur në 38 gola me klubin.

Megjithatë, ndikimi më i madh i tij këtë sezon ka ardhur me kombëtaren norvegjeze. Haaland ka realizuar 20 gola në 11 ndeshje, përfshirë pesë gola dhe dy asistime në një ndeshje eliminatore të Botërorit ndaj Moldavisë. Ai shënoi gjithashtu një dygolësh ndaj Italisë më 16 nëntor, duke ndihmuar Norvegjinë të siguronte kualifikimin në play-off. Në total, Haaland ka 58 gola këtë sezon.

Harry Kane, një makineri golash me Bayernin

Kane ka pak më pak gola me kombëtaren angleze, por vazhdon të jetë lideri absolut dhe golashënuesi më i mirë i “Tre Luanëve”.

Statistikat e tij me Bayernin janë mbresëlënëse. Sulmuesi anglez ka shënuar 10 gola në gjashtë ndeshje të Kupës së Gjermanisë, 36 gola në 31 takime të Bundesligës dhe 14 gola në 13 ndeshje të Champions League. Ai realizoi gjithashtu golin që hapi rrugën e fitores 2-1 ndaj Stuttgartit në Superkupën e Gjermanisë. Në total, Harry Kane ka shënuar 73 gola këtë sezon.

Përballja Norvegji–Angli nuk do të jetë vetëm një duel për një vend në gjysmëfinale të Botërorit 2026, por edhe një betejë mes dy sulmuesve që po dominojnë futbollin ndërkombëtar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close