
Dega Tetovë sot mbajti mbledhje me të gjitha strukturat partiake të qytetit.
Temë qendrore e diskutimit ishte situata e krijuar pas publikimit të vendimit zyrtar të Gjykatës Kushtetuese lidhur me shfuqizimin e emrave të rrugëve dhe sheshit të Tetovës.
Vendimi e bëri të qartë se përgjatë një viti, Komuna e Tetovës katër herë nuk e dorëzoi dokumentacionin e kërkuar nga Gjykata. Pikërisht kjo heshtje institucionale dhe mosveprim rezultuan me shfuqizimin e vendimit dhe me rikthimin e emrave të vjetër nga koha e monizmit.
BDI – Dega Tetovë kërkoi seancë të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal, por kjo kërkesë u hodh poshtë. Gjithashtu dy herë, përmes kërkesave për qasje të lirë në informata me karakter publik, kërkuam publikimin e dokumentacionit dhe të gjithë korrespondencës institucionale. Edhe ndaj këtyre kërkesave, Komuna e Tetovës zgjodhi heshtjen.
Pra është më se qartë. Bilall Kasami mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike për këtë vendim skandaloz. Heshtja dhe mosveprimi i tij ndaj kërkesave të Gjykatës Kushtetuese janë tradhti ndaj interesit, historisë dhe dinjitetit të qytetarëve të Tetovës.
Prandaj, të shtunën, më 11.07.2026, i ftojmë të gjithë qytetarët e Tetovës, pa përjashtim, t’i bashkohen Protestës qytetare për mbrojtjen e dinjitetit dhe historisë së qytetit tonë.








