LajmeMaqedoniTopLajm

Ethet e Nilit Perëndimor, Panovski: Virusi qarkullon, kujdes nga mushkonjat përcjell

Pas rastit të konfirmuar të Etheve të Nilit Perëndimor te një 68-vjeçar nga Shkupi, i cili nuk ka udhëtuar jashtë vendit, konfirmohet se virusi po qarkullon edhe në vend. Profesori Nikolla Panovski, thotë se kjo nuk është diçka e jashtëzakonshme, pasi edhe te ne ekziston mushkonja që e bart këtë virus.

Ai paralajmëron se është e mundur të ketë edhe të tjerë të infektuar, të cilët kanë pasur pasqyrë të lehtë klinike ose nuk kanë zhvilluar simptoma, andaj edhe nuk janë regjistruar.

“Sa i përket rasteve, deri më tani nuk kemi pasur epidemi, megjithatë raste sporadike do të ketë. Pasi ky rast ka përfunduar në spital, sipas natyrës së sëmundjes, sigurisht që ka edhe dhjetëra raste të tjera që kanë kaluar me simptoma të lehta dhe nuk është zbuluar se për çfarë bëhet fjalë, si dhe shumë njerëz që nuk kanë fare simptoma. Kështu që për këtë sëmundje, ndryshe nga, le të themi, malaria apo disa sëmundje të tjera që barten nga vektorët si denga e të tjera, nuk është çudi që ka edhe përhapje lokale” – tha mikrobiologu Nikolla Panovski.

Muajin e kaluar në vend u regjistrua një rast i të infektuarit me virusin “Zika” te një person që kishte qëndruar në Maldive, ndërsa ethet “Denga” u konfirmuan te një punëtor nga Bangladeshi.

Kyç është që rastet e importuara të identifikohen me kohë dhe pacientët të izolohen, me qëllim që të parandalohet pickimi nga mushkonjat dhe përhapja e mëtejshme e virusit.

“Tani, e gjithë politika është që kur të importohet një rast nga jashtë, ai të identifikohet në kohë, në mënyrë që të mos pickohet më pas nga mushkonjat. Deri më tani kjo është bërë me sukses me malarien, kështu që edhe për këto sëmundje të tjera do të duhej izolimi i pacientit, kuptohet, përveç të gjitha atyre masave që merren kundër mushkonjave. Kështu që realisht ka gjasa të vogla që këtu të shfaqet, le të themi, denga, malaria apo zika. Nuk është hera e parë që kemi sëmundje të tilla, veçanërisht sa i përket malaries që e kemi ndjekur këto 50 vjet. Ka pasur raste, madje kemi pasur edhe raste me vdekje, megjithatë deri më tani nuk ka pasur rast po flas për malarien që të shfaqet rast brenda Maqedonisë, që do të thotë pa qenë jashtë shtetit, pra transmetim nga njeriu te njeriu përmes mushkonjave” – u shpreh mikrobiologu Nikolla Panovski.

Panovski potencon se mushkonjat mund të pakësohen, por jo edhe të eliminohen plotësisht. Prandaj, ai thotë se nevojiten masa më të rrepta dhe kontroll i shtuar, veçanërisht pas shfaqjes së virusit “Zika” dhe etheve “Denga”.

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close